Lidhje

2 korrik 1990: Rruga 15 vjeçare e shqiptarëve për të shkuar në Perëndim


Zgjedhjet e përgjithshme të 3 korrikut në Shqipëri janë vlerësuar nga SHBA si më të rëndësishmet nga rrëzimi i komunizmit. Si sot 15 vjet më parë mijëra qytetarë shqiptarë hynë nëpër ambasada në përpjekje për t’u ndarë nga diktatura, duke kërkuar strehim politik dhe një jetë më të mirë në Perëndim. Analistët vlerësojnë se shumë nga pengesat e integrimit të Shqipërisë edhe sot ende nuk janë kapërcyer.

"2 korriku 1990 ishte më shumë një protestë ndaj regjimit të vjetër diktatorial, ndërsa momenti i tanishëm i zgjedhjeve është më tepër një shprehje e vullnetit të popullit shqiptar për integrimin euro-atlantik" - thotë diplomati dhe analisti Besnik Konçi.

Shpejtësia e integrimit të Shqipërisë në institucionet euro-atlantike është një nga premtimet më të rëndësishme të forcave politike gjatë fushatës zgjedhore, por njëkohësisht edhe akuza më e rëndësishme që ato i drejtojnë njëra-tjetrës.

“Çështja është që përpara se të premtojnë vitin kaq apo vitin aq për integrimin, mendoj se politika jonë në përgjithësi duhet të vrasë mendjen pikërisht për ditën 3 korrik. Pastaj puna për integrimin në BE është e pafund. Integrimi është ai që ka thënë Hallshtajni - një bicikletë që duhet të vazhdosh t’i japësh se ndryshe në çastin që stopon, do të biesh majtas ose djathtas” - thotë profesor Ledi Bianku i Të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës dhe ekspert i çështjeve europiane.

Ai shton se për vullnetin pozitiv të popullit shqiptar pro NATO dhe BE nuk ka asnjë dyshim, dhe këtë e tregojnë anketimet e 15 vjetëve.

“Edhe shqiptarët ndonëse janë në një përqindje jashtëzakonisht të madhe, rreth 99% pro integrimit europian, kam frikë se nuk e kuptojnë këtë. Kam frikë se nuk i kuptojnë sfidat e mëdha që kemi përpara. Kam frikë se nuk kuptojnë se duhet transformuar një pjesë e madhe e aktiviteteve tona ekonomike e sociale, një pjesë e madhe e mënyrës tonë të sjellurit ndaj ligjit dhe shtetit.” - thotë zoti Bianku.

Ndërkaq diplomati dhe analisti i çështjeve ndërkombëtare, Besnik Konçi, thotë se Perëndimi dhe populli shqiptar nuk duhen zhgënjyer në kërkesën këmbëngulëse që këtu të mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme.

"Përpjekjet për ndërtimin e shtetit ligjor nuk mund të bëhen më nga maxhoranca të dyshimta apo të kundërshtuara, por ato kërkojnë ndërtimin e maxhorancave të konsoliduara, që do të dalin nga vota e lirë dhe nga një proces zgjedhjesh i standarteve ndërkombëtare" - tha zoti Konçi.

Një nga kërkesat paraprake drejtuar Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit është edhe integrimi ekonomik dhe bashkëpunimi rajonal në Europën Jug-lindore. Analisti i njohur i çështjeve të rajonit, Agim Popoci, mendon se në këtë drejtim ende ka shumë pak rezultate.

“Transparenca e Brukselit zyrtar ka bërë të mundur që edhe shqiptarët ta kuptojnë se janë ata që do të vendosin për fatin e tyre dhe jo partitë politike. Politikanët shqiptarë kanë përdorur shumë kartën e Maqedonisë dhe të Kosovës për mosintegrimin e tyre në Europë. Mendoj se Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria janëq raste të veçanta dhe nuk konceptohen si integrime rajonale por si integrime në BE” - tha ai.

Ai thotë se edhe bashkëpunimi i shumëpritur mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk ka ecur me shpejtësinë e parashikuar.

"Bashkëpunimit me Kosovën i mungon më së shumti bashkëpunimi ekonomik që është edhe hallka qendrore e këtij integrimi. Zyrtarët shqiptarë mendojnë se rruga Durrës - Kukës bëhet për kosovarët. Kjo nuk qëndron, sepse ajo bëhet për të lidhur dy urat qendrore ekonomike mes dy vendeve, ku përfshihen edhe lidhjet ndërmjet njerëzve" - thotë zoti Popoci.

Analistët në Tiranë mendojnë se nuk është e rastësishme që kushtet kryesore për integrimin në NATO dhe BE nuk janë ushtarake dhe as ekonomike, por janë të fushës ligjore dhe politike. Ndaj edhe ato thjesht duhen plotësohen, duke filluar me zgjedhjet e lira, luftën kundër trafiqeve të paligjshme, krimit të organizuar, korrupsionit, forcimin e institucioneve demokratike si edhe kthimin dhe kompensimin e pronave.

XS
SM
MD
LG