Lidhje

Grunnet: Mangësitë në listat e zgjedhësve hapin një shteg për manipulime


Jorgen Grunnet, Shef i Misionit të ODHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri i tha Zërit të Amerikës se meqenëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve këtë herë ka bërë një punë më të mirë se sa katër vjet më parë, duke i marrë vendimet në mënyrë profesionale dhe kolegjiale, përgatitjet janë qartazi më të mira se sa herën e kaluar.

“Por listat e votuesve megjithëse janë përmirësuar, nuk janë të përsosura, sepse në lista ka një numër të madh njerëzish që megjithëse e kanë emrin, sidomos emigrantë, nuk janë verifikuar. Kjo hap një të çarë për manipulime në zgjedhje”, tha zoti Grunnet.

Kjo, tha ai, i shtohet problemit tjetër, që ka një numër të madh certifikatash lindjeje të vjedhura ose të zhdukura të cilat qarkullojnë në publikun shqiptar dhe Partia Demokratike si dhe Lëvizja Socialiste për Integrim dyshojnë se këto mund të përdoren nga partitë e tjera për manipulime.

“Askush nuk mund ta thotë me siguri sot nëse këto dyshime janë të justifikuara por kjo do të shihet nesër, në ditën e zgjedhjeve. Gjatë javëve të kaluara, komisioni qendror i zgjedhjeve ka miratuar dy herë masa për ta kufizuar këtë rrezik”.

Zoti Grunnet tha se shpreson që procesi i numurimit të votave të kalojë pa probleme.

Misioni vëzhgues i ODIHR-it ka gjithsej më shumë se 400 njerëz. Ata janë nisur tashmë drejt një numri të madh rajonesh të vendit për të vëzhguar zgjedhjet. Për herë të parë, numërimi i votave do të zhvillohet në qendra të caktuara në të 100 zonat elektorale prandaj askush nuk e di me saktësi se sa do të zgjasë procesi i numërimit.

Procesi nuk mund të ecë nëse në qendrat nuk arrijnë votat nga të gjitha kutitë e votimit dhe siç dihet, gjendja e rrugëve në disa pjesë të Shqipërisë është e vështirë prandaj do të duhen disa orë që të arrijnë kutitë e votimit, i tha Zërit të Amerikës shefi i misionit të Odihrit për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri, Jorgen Grunnet.

XS
SM
MD
LG