Lidhje

Vacek: Parregullsitë administrative nuk do të mund të prishin zgjedhjet


Kreu i pranisë së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Pavel Vacek deklaroi sot se parregullsitë administrative nuk do të mund të prishin zgjedhjet, por ato mund të minohen nga qëndrimet e personave të veçantë. Komentet e tij ambasadori Vacek i bëri gjatë një ceremonie me 3500 vëzhguesit shqiptarë që do të ndjekin votimin e ditës së nesërme deri në përfundim të numërimit të votave.

Sot Komisioni Qendor i Zgjedhjeve njoftoi se janë shfaqur probleme me disa qendra votimi në katër zona pasi komisionerët refuzojnë të tërheqin bazën materiale. Ndërsa fushata elektorale kaloi qetësisht dhe pa probleme, janë të shumtë ata që i druhen të papriturave të ditës së nesërme.

Më në ankth duket të jenë përfaqësuesit ndërkombëtar që si asnjëherë tjetër kanë ndjekur me një angazhim të plotë gjithë ecurinë e procesit. Të mësuar me kurthet e momentit të fundit të politikës shqiptare, komuniteti ndërkombëtar është përpjekur t’i paraprijë apo të pèarandolojë cdo problem që mund të vërë në pikëpyetje votimin e së dielës. Sot ambasadori i OSBE-së Pavel Vacek u shpreh se rreziku i vetëm janë qëndrimet personale të individëve të vecantë:

"Ne jemi fokusuar dhe kemi tërhequr vëmendjen e partive politike se parregullsitë administrative nuk mund të vrasin zgjedhjet. Ajo cfarë mund ta minojë dhe ti presë këmbët nga poshtë besueshmërisë dhe besimit të njerëzve në sistemin electoral është sjellja e keqe e njerëzve të vecantë", tha ambasadori Vacek.

Dhe në të vërtetë sot sipas komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, komisionerët e disa qendrave të votimit në katër komisione zonale kanë shfaqur probleme duke refuzuar tërheqjen e bazës materiale. Zëdhënësi i Komisionit Erton Sinani, shpjegoi se bëhet fjalë për raste të izoluara megjithatë ai kujtoi se për raste të tilla do të bëhen edhe kallzime penale.

Dje Komisioni Qendror i zgjedhjeve mori vendim që përdorimi i certifikatave të lindjes të shoqërohet edhe me dokumente të tjerë identifikues në momentin e votimit. Ambasadori Vacek vlerësoi këtë vendim i cili erdhi si pasojë e dyshimeve të shfaqura rreth një numëri të madh certifikatash të vjedhura. Ky vendim tha ai është një masë parandaluese për të gjitha ata që kishin planifikuar t’i përdornin këto dokumenta ditën e votimit.

Komentet e Ambasadorit të OSBE-së u bënë gjatë një ceremonie me 3500 vëzhguesit shqiptarë që do të ndjekin nesër procein e votimit dhe të nxjerrjes së rezultatit. Ambasadorja amerikane Marsi Ris duke ripërsëritur rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për të ardhmen e vendit tha se edhe vëzhguesit vendor kanë përgjegjësinë që të ndihmojnë në arritjen e objektivit të mbajtjes së zgjedhjeve pa probleme që plotësojnë standartet dhe deshmojnë zhvillimin demokratik të Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG