Lidhje

SHBA: Zgjedhjet - faktor i rëndësishëm në përparimin e demokracisë në Shqipëri


Në Shtetet e Bashkuara, zyrtarët kanë shprehur interesim të veçantë për zgjedhjet në Shqipëri dhe gjatë gjithë periudhës parazgjedhore kanë bërë një numër deklaratash që i cilësojnë zgjedhjet e sotme si një faktor të rëndësishëm në vazhdimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në strukturat euro-atlantike.

Ky interesim i pazakontë për zgjedhjet në Shqipëri është për shkak se Shqipëria është një vend ku deri tani zgjedhjet kanë qenë problematike në një rajon gjithashtu problematik siç kanë qenë Ballkani gjatë më shumë se një dekade. Shqipëria po kalon një tranzicion të zgjatur dhe me probleme gjë që nuk ka mbetur jashtë vemendjes së administratës amerikane. Disa analistë kanë theksuar shqetësimet se Shqipëria mund të bëhet një shtet i falimentuar në kushtet kur kufijtë e saj janë porozë dhe nëse ajo dështon në luftën me krimin e organizuar.

Lidhur me këto zgjedhje, ditët e fundit, si administrata edhe Kongresi amerikan kanë theksuar rëndësinë e përmbushjes së standarteve ndërkombëtare, nëse Shqipëria, siç theksojnë ata, dëshiron të provojë se është e angazhuar në rrugën e demokracisë. Këto zgjedhje, thonë ata, mund të jenë edhe një faktor në përcaktimin e marrëdhënieve të ardhshme Amerikë-Shqipëri.

Drejtori i Zyrës së Cështjeve të Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit, Charles English, i cilësoi zgjedhjet e sotme si ndoshta më kritiket për Shqipërinë që nga rënia e komunizmit. Shtetet e Bashkuara, theksoi zoti English nuk mbështesin asnjërën nga forcat politike shqiptare në veçanti, dhe do të mbështesin këdo që fiton në këto zgjedhje, për sa kohë që zgjedhjet të jenë të lira dhe të drejta dhe të pasqyrojnë vullnetin e popullit shqiptar. Në rast se nuk përmbushen standartet për zgjedhje të rregullta, të lira dhe të drejta, tha zyrtari i Departamentit të Shtetit, rruga e Shqipërisë drejt strukturave euro-atlantike nuk do të ishte e hapur sa duhet. Shtetet e Bashkuara po ndjekin me vëmendje zhvillimin e zgjedhjeve që kushtëzojnë të ardhmen e Shqipërisë, u shpreh zoti English.

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan, përmes Rezolutës 155 të miratuar më 27 qershor, rithekson rëndësinë që i kushtojnë Shtetet e Bashkuara këtyre zgjedhjeve parlamentare, duke i cilësuar ato një faktor në përcaktimin e marrëdhënieve të ardhshme ndërmjet Amerikës dhe Shqipërisë. Këto zgjedhje, thuhet në dokument, janë esenciale për ambicjet e Shqipërisë për integrim në institucionet euro-atlantike, përfshirë antarësim të plotë në Natosi dhe në përparimin e vendit në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kongresmeni Eliot Engel, një ndër dy anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve që propozuan rezolutën e Dhomës mbi zgjedhjet, ndodhet aktualisht në Shqipëri si vëzhgues për zgjedhjet. Në intervistën që na dha para se të nisej për në Shqipëri, Engel theksoi se nuk ka rëndësi kush fiton, por ka rëndësi që zgjedhjet të pasqyrojnë vullnetin e popullit shqiptar. Shqipëria, tha Kongresmeni, ndodhet në një udhëkryq. Megjithatë, ai shprehu shpresën se me këto zgjedhje Shqipëria do të hedhë një hap të madh përpara drejt demokracisë.

Komente kanë bërë ditë e fundit edhe personalitete shqiptaro-amerikane, të cilët kanë shprehur kritika për mënyrën se si ka funksionuar deri më sot politika në Shqipëri dhe kanë bërë thirrje që kësaj here zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme në përputhje me standardet ndërkombëtare, gjë që sipas tyre është me rëndësi kritike për fatet e Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG