Lidhje

Shpërthimet e Londrës transformojnë takimin e Tetëshes


Shpërthimet në Londër e kanë transformuar takimin e nivelit të lartë në Gleneagles të Skocisë. Udhëheqësit e 7 vendeve më të mëdha industriale plus Rusisë, të cilët janë mbledhur për të biseduar rreth objektivave paqësore, po e gjejnë veten të spostuar nga vëmendja për shkak të shpërthimeve.

Udhëheqësit e tetëshes arritën në Gleneagles për të biseduar rreth ndryshimeve klimatike dhe ndihmës për Afrikën.

Mirëpo atyre iu desh përsëri të bëjnë deklarata kundër dhunës, ndërkohë që nga Londra vinin imazhe të përgjakshme.

Në një drekë pune me udhëheqësit e vendeve në zhvillim, udhëheqësit e tetëshes shprehën solidaritet ndaj kryeministrit britanik Tony Blair.

Ata dolën përpara kamerave në një rresht të vetëm me të ftuarit. Presidenti Bush qendronte në njërin krah të zotit Blair ndërsa në tjetrin ishte presidenti francez Jacques Chirac. Zoti Blair bëri komente në emër të të gjithëve:

"Ne i dënojmë me të gjithë forcën këto sulme barbare. Ne u dërgojmë ngushëllime të thella viktimave dhe familjeve të tyre. Të gjithë vendet tanë kanë patur pasoja nga terrorizmi. Personat përgjegjës nuk kanë respekt për jetën njerëzore."

Më pas, kryeministri u nis për në Londër me helikopterin që u ngrit nga kompleksi turistik në Gleneagles.

Ai tha se do të kthehej përsëri brenda ditës për të ndihmuar që Grupi i tetëshes të vazhdojë punën e tij të rëndësishme. Ai theksoi se takimetg do të vazhdojnë edhe në mungesë të tij.

Por atmosfera në takimin e nivelit të lartë kishte ndryshuar. Gjithçka nisi me tronditjen e fillimit e cila ia la vendin keqardhjes dhe pastaj vendosmërisë. Përreth kompleksit turistik, zyrtarë, reporterë dhe madje njerëz të shërbimit apo shoferët e autobusëve u grumbulluan para ekranëve të televizionit për të parë lajmet e fundit nga Londra.

Pjesmarrësit e takimit të tetëshes u shkëputën nga puna për 45 minuta për t’u këshilluar me ndihmësit e tyre kryesorë. Duke dalë nga vendi i takimit, ndërkohë që kryeministri Blair largohej me helikopter, Presidenti Bush foli rreth kontrastit midis atyre që ishin mbledhur në Gleneagles, dhe atyre që kryen shpërthimet.

"Nga njëra anë, janë njerëzit e mbledhur këtu që punojnë për zbutjen e varfërisë, që bota të heqë qafe epideminë e sidës dhe për të patur një mjedis të pastër. Nga ana tjetër, kemi njerëzit që vrasin njerëz të pafajshëm. Nuk mund të ketë një kontrast më të qartë midis synimeve dhe zemrave të atyre mes nesh që interesohen me të vërtet për të drejtat e njeriut dhe lirinë njerëzore dhe atyre që vrasin."

Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre nuk do të lëshojnë pe përballë terroristëve. Kryeministri Blair u shpreh me pak fjalë: Ne do të fitojmë, ndërsa ata jo, tha ai.

XS
SM
MD
LG