Lidhje

Analistët thonë se Evropa ka nevojë për unitet për të luftuar terrorizmin


Më pak se 16 muaj pas sulmeve me bomba në trenat e Madridit, terrorizmi goditi përsëri në Evropë. Shpërthimet e djeshme në Londër po ngrenë pyetje lidhur me përpjekjet e këtij kontinenti për të luftuar terrorizmin.

Disa analistë thonë se 4 shpërthimet që tronditën Londrën dje në mëngjes ishin një alarm për Bashkimin Evropian që po kalon mosmarrëveshje për disa çështje. Deri kohët e fundit, lufta kundër terrorizmit, nuk ishte përparësia kryesore, thotë Daniel Keohane, një analist në Qendrën për Reformë Evropiane me seli në Londër.

“Terrorizmi nuk ishte çështje kryesore gjatë muajve të fundit. Vëmendja ishte përqendruar tek rezultati i referendumit francez për kushtetutën dhe tek Irani, apo probleme të tjera”.

Sot, sigurisht terrorizimi është rikthyer në qendër të vëmendjes për Bashkimin Evropian. Frika për terrorizmin është rritur nga një deklaratë në internet, ku merrej përgjegjësia për sulmet e Londrës. Një grup i panjohur më parë i vetëquajtur Organizata e Fshehtë e al-Kaidës në Evropë, e ka nënshkruar deklaratën ku paralajmëron se do të kryejë sulme të tjera të ngjashme në vende të tjera evropiane që kanë trupa në Afganistan dhe Irak.

Shpërthimet e Londrës u ngjasonin shumë sulmeve të 11 marsit 2004 në Madrid. Në të dyja rastet, bombat vinin në shënjestër sistemin e transportit publik. Dhe në të dyja rastet shpërthimet ndodhën gjatë orëve të ngarkuara të mëngjesit, kur mund të shkaktonin më shumë pasoja.

Në të dyja rastet, sulmet përkuan me ngjarje të rëndësishme politike. Për Londrën ishte takimi i Tetëshes në Skoci. Në Madrid bombat shpërthyen vetëm tre ditë para zgjedhjeve të përgjithshme.

Por që nga koha kur u kryen sulmet e Madridit deri tek sulmi i djeshëm në Londër, Bashkimi Evropian nuk ka qenë i shpejtë në hartimin e politikave të koordinuara dhe efektive të kundërterrorizmit. Zoti Keohane shpjegon arsyet:

"Problemi është Bashkimi Evropian. Nuk është qeveria e një vendi. Nuk ka shërbimin e vet të kundërterrorizmit, që të mund të bëjë arrestime. Kjo organizatë mund vetëm të ndihmojë qeveritë që të ndihmojnë njëra-tjetrën. Dhe përsa i takon aftësive të sigurisë, Bashkimi Evropian nuk është më në gjendje sesa vendi i vet anëtar më i dobët”.

Ndërkohë që Bashkimi Evropian ka krijuar një post të ri të koordinatorit të kundër-terrorizmit, ekspertët thonë se pozicioni nuk i ka kompetencat dhe fondet e mjaftueshme për të qenë efektiv. Planet për pasaporta biometrike për gjithë Evropën, koordinimi për të zbuluar financat e terroristëve, si edhe fletë-arresti të përbashkëta, kanë mbetur në fazën e bisedimeve. Megjithatë, analisti spanjoll Barnabe Lopez Garcia përmend një farë përparimi.

“Ka patur bashkëpunim të konsiderueshëm mes ministrive të brendshme. Por është më e vështirë që të hartohet një strategji të koordinuar për gjithë Evropën që të jetë efektive kundër sulmeve si ai i Londrës”.

Terrrorizmi nuk është një dukuri e re në Evropë. Nga Irlanda në Itali, qeveritë prej kohësh kanë luftuar kundër lëvizjeve ekstremiste në vendet e tyre. Por ekspertët thonë se rreziqet e tyre janë shumë të ndryshme nga ai që paraqesin bazat islamike. Po ashtu fakti që Evropa është pranë Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut dhe i pranisë së emigrantëve në vendet e saj, paraqet një rrezik të madh për kontinentin.

Pas ngjarjes së Londrës, analistë si Daniel Keohane mendojnë se Evropa do të marrë një rol shumë më aktiv në luftën kundër terrorizmit. Kryeministri britanik Tony Blair do të jetë gjatë 6 muajve të ardhshëm presidenti i Bashkimit Evropian.

“Meqenëse Britania kryeson Bashkimin Evropian aktualisht dhe do që Bashkimi Evropian të bjerë dakord për një strategji kundër terrorizmit, mendoj se pa dyshim do të bëhet çështja kryesore e BE-së’.

Por mbetet për t’u parë se çfarë masash të reja do të marrë konkretisht Bashkimi Evropian për të luftuar terrorizmin.

XS
SM
MD
LG