Lidhje

Presidenti Bush shpreh mbështetjen për Britaninë


Presidenti Bush i shprehu sot ngushëllimet popullit britanik, dy ditë pas një vale sulmesh me bomba në Londër. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Serena Parker, Presidenti Bush tha se vendet demokratike do të qëndrojnë të vendosura dhe do të vazhdojnë luftën globale kundër terrorizmit:

Dy ditë pas një vale sulmesh vdekjeprurëse goditi sistemin e transportit publik në Londër, Presidenti Bush u shprehu ngushëllimet viktimave dhe familjeve të tyre dhe u zotua se terroristët do të mposhten.

“Ashtu siç qëndruan krah për krah për të mposhtur ideologjitë vdekjprurëse të shekullit të 20-të, Amerika dhe Britania do të mposhtin bashkë edhe ideologjitë e urrejtjes të shekullit të 21-të”.

Presidenti Bush ishte në Skoci për takimin vjetor të udhëheqësve të Grupit të 8 vendeve më të industrializuara, kur ndodhën sulmet. Takimi u përqëndrua tek rrugët për të luftuar varfërinë dhe Sidën në Afrikë, si edhe tek çështja e ndryshimeve në klimë. Zoti Bush tha se fakti që sulmet përkuan pikërisht me këtë takim, nxorrën në pah ndryshimet mes demokracive të botës dhe terroristëve radikalë islamikë, që duan t’i përmbysin ato.

“Kontrasti nuk kishte si të ishte më i dukshëm mes synimeve dhe ndjenjave të atyre për të cilët të drejtat e njeriut dhe liria njerëzore janë aq të rëndësishme dhe qëllimeve dhe akteve djallëzore të atyre që gjejnë gëzim tek vdekja dhe vuajtjet e të pafajshmëve”.

Zyrtarë britanikë dhe amerikanë kanë thënë se sulmet kanë të gjitha tiparet e goditjeve të al-Kaidësk, por nuk ka prova që të lidhin direkt shpërthimet me rrjetin terrorist dhe nuk ka patur arrestime. Megjithatë, meqenëse shpërthimet duket se janë aktivizuar nga mekanizma të kronometruara dhe jo autorë sulmesh vetëvrasësem, autoritetet kanë paralajmëruar se terroristët mund të godasin përsëri.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti Bush tha se sulmi ndaj Londrës e përforcoi angazhimin e tij që të vazhdojë me vendosmëri luftën kundër terroristëve.

“Ne do të vazhdojmë të mos lejojmë që terroristët të gjejnë streha të sigurta dhe të gëzojnë mbështetjen e vendeve të papërgjegjshme. Njëkohësisht ne do të vazhdojmë të përhapim vlerat universale të shpresës dhe lirisë që do të dalin më të forta sesa ideologjia e tyre e tiranisë dhe urrejtjes. Bota e lirë nuk e hapi këtë konflikt, megjithatë ne do ta fitojmë atë”.

Në Shtetet e Bashkuara, vazhdojnë të jenë në fuqi masat e sigurisë për sistemet e transportit publik. Presidenti Bush u bëri thirrjeve amerikanëve të jenë të kujdesshëm dhe të njoftojnë për sjellje të dyshimta tek autoritetet lokale.

XS
SM
MD
LG