Lidhje

Bërns: 2005-a duhet të jetë vit ndryshimesh dhe përparimi në Kosovë


Gazeta “Washington Post”, ka botuar sot një artikull me autor Nënsekretarin amerikan të Shtetit Nicholas Burns të titulluar “Punë e pambaruar në Ballkan”, ku analizohen ngjarjet kryesore në Bosnje, Kosovë dhe Serbi. Këtë vit, shkruan Nënsekretari Burns, Shtetet e Bashkuara kanë rastin t’i ndihmojnë popujt e Bonsjes, Kosovës dhe Serbisë të ndërmarin hapat përfundimtarë drejt paqes së plotë. Në artikull thuhet midis të tjerash se viti 2005, nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën, por ky vit duhet jetë një vit ndryshimesh dhe përparimi në Kosovë.

6 vjet pas ndërhyrjes atje të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për t’i dhënë fund spastrimit etnik të Sllobodan Millosheviçit, gjendja e statuskuosë atje nuk është më e pranueshme. Kosova ka jetuar këto vite nën protektoratin e bashkësisë ndërkombëtare dhe kosovarëve nuk është dhënë ndonjë vizion realist për të ardhmen.

Në se dërguari i OKB-së Kai Eide vendos këtë verë se Kosova ka bërë përparim të mjaftueshëm në përmbushjen e standarteve për një vetëqeverisje me përgjegjësi, Shtetet e Bashkuara do t’i mbështesin bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës të oragnizuara nga OKB-ja. Ne do të vazhdojmë të këmbëngulim, shruan zoti Burns, se çdo zgjidhje e mundshme duhet të jetë ajo që nxit qëndrueshmërinë rajonale dhe që i lejon pakicat të jetojnë në një shoqëri shumëetnike.

Në vitin 1990, shkruan Nënsekretari i Shtetit Burns, Shtetet e Bashkuara ndërhynë për t’i dhënë fund spastrimit etnik të serbëve. Tani, thotë zoti Burns, është koha të tregohet tolerancë për numrin gjithnjë e më të vogël të serbëve të Kosovës, që ata gëzojnë të drejtën të banojnë në Kosovë. Në se këtë vit bëhet përparim, shumica shqiptare duhet të japë sinjalin që Kosova e ardhme do të jetë tolerante dhe e hapur për të gjitha pakicat, të cilat të vazhdojnë ta shikojnë atë si shtëpinë e tyre.

Presidenti Bush dhe Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleeza Rice, shkruan zoti Burns në gazetën Washington Post, po bashkëpunojnë me aleatët tanë që të gjejnë zgjidhjen këtij problemi të fundit për të patur një Ballkan paqësor, që t’i përshtatet synimit tonë për vendosjen e paqes demokratike në Evropë.

Ne, përfundon në artikullin e tij Nënsekertari amerikan i Shtetit Nicholas Burns, jemi të përkushtuar të përdorim vendosmërinë amerikane për t’i dhënë shtytje paqes.

XS
SM
MD
LG