Lidhje

Përkujtohet 10-vjetori i masakrës së Srebrenicës


Më 11 korrik 1995 afro 8 mijë djem dhe burra të paarmatosur myslimanë u masakruan nga forcat serbe në Srebrenicë të Bosnjës. Personalitete nga e gjithë bota së bashku me dhjetra mijëra njerëz po marin sot pjesë në ceremonitë me rastin e 10 vjetorit të masakrës. Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhet se masakra ishte një akt mizor i kryer kundër njerëzve të pafajshëm. Mes atyre që morrën pjesë në ceremoni ishte edhe ish ambasadori i Shteteve të Bashkuara në OKB, Richard Holbrooke, një nga zyrtarët më me influnecë në negocimin e marrëveshjes së vitit 1995 që i dha fund konfliktit në Bosnje. Ai e quajti masakrën e Srebrenicës tragjedi dhe dështim të paqeruajtësve të NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara. Ministri i Jashtëm britanik, Jack Straw i bëri johënë kësaj kritike, duke thënë se “masakra u krye nën hundën tonë, dhe ne nuk bëmë asgjë”. Edhe presidenti i Sërbisë, Boris Tadic, mori pjesë në ceremonitë e varrimit, megjithë kritikat e ashpëra nga nacionalistët sërbë.

Masakra e Srebrenicës është përshkruar si akti më çnjerëzor në Evropë që pas Holokaustit të Luftës së Dytë Botërore që u kushtoi jetën 6 milion hebrenjve. Sipas llogaritjeve 8 mijë djem dhe burra myslimanë të Bosnjës u vranë nga forcat serbe në Srebrenicë, pasi ajo ishte shpallur zonë e sigurtë nga Kombet e Bashkuara.

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në fillim të viteve ’90, rajoni u përfshi nga konflikti. Gjatë asaj periudhe serbët e Bosnjës morën nën kontroll pjesën më të madhe të Bosnjës lindore dhe filluan një fushatë spastrimi etnik kundër myslimanëve. Srebrenica ishte ndër qytetet e pakta që ende kishte popullsi myslimane në atë zonë.

Në vitin 1993, forcat serbe filluan një ofensivë masive. Serbë nga jashtë rajonit iu bashkuan fushatës serbe, dhe forcat mbrojtëse të qytetit nuk mund të rezistonin më. Rreth 600 paqeruajtës holandezë u dërguan për të mbrojtur qytetin, por kjo nuk nuk arriti t’i presë rrugën masakrës së forcave serbe.

Elvir Mujiç, i cili në atë kohë ishte 17-vjeç, thotë se kjo ngjarje mund të krahasohet me Holokaustin: "Pa dyshim, në mendjen e forcave serbe që u futën në qytet, synimi ishte të kryenin një spastrim etnik të Srebrenicës. Askush tjetër nuk duhet të jetonte në qytet përveç serbëve. Më parë 75 për qind e popullsisë së qytetit ishin myslimanë të Bosnjës. Ndërsa 25 për qind ishin serbë dhe të tjerë. Mendoj se synimi i tyre i vetëm ishte ta shkatërronin atë qytet dhe të na nxirrnin ne myslimanëve nga qyteti për ta spastruar etnikisht Srebrenicën," thotë Elviri.

Xhen Vilem Honig, pedagog në Departamentin e Luftës të Universitetit King’s College të Londrës thotë se kujtimi i Holokaustit të Luftës së Dytë Botërore duhet ta kishin parandaluar kryerjen e një masakre të tillë: "U bë e qartë shumë shpejt pas ngjarjes se ishte kryer krimi më i rëndë në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo thekson diçka shumë të rëndësishme, se një akt i tillë ishte ende i realizueshëm në Evropë pas Holokaustit. Për më tepër, ç’është e rëndësishme për Srebrenicën, ky akt ndodhi nën hundën e komunitetit ndërkombëtar," thotë pedagogu. Zoti Honig thotë se megjithëqë komuniteti ndërkombëtar kërcënoi se do të përdorte forcën për të ndalur dhunën, nuk kishte synime për veprime të tilla, përndryshe populli i Srebrenicës mund të ishte shpëtuar.

Në vitin 2004, Gjykata e Hagës për ish-Jugosllavinë i cilësoi masakrat kundër myslimanëve në Srebrenicë si gjenocid. Ish-presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç ndodhet aktualisht në Hagë ku po gjykohet për rolin e tij në Srebrenicë dhe në krime të tjera të luftës në Bosnjë dhe Kosovë. Edhe serbë të tjerë janë sjellë në Hagë dhe disa prej tyre kanë dalë para drejtësisë.

Në vitin 2001 ish-komandanti i lartë serb i Bosnjës Radisllav Krstiç u shpall fajtor për gjenocid lidhur me rolin e tij në masakrën e Srebrenicës. Prokurorët e Hagës po përgatiten tani për gjykimin e përbashkët të nëntë oficerëve më të lartë të përfshirë në këtë akt. Por dhjetë vjet pas nasakrave, të dyshuarit kryesorë, ish-udhëheqësi serb i Bosnjës Radovan Karaxhiç dhe komandati ushtarak i serbëve të Bosnjës Ratko Mlladiç ende lëvizin të lirë. Ata janë akuzuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve të luftës.

Më 7 korrik trupat e Natos ndaluan Aleksandar Karaxhiç, i biri i ish-udhëheqësit serb Karaxhiç, në Pale të Bosnjës. Natoja thotë se ai dyshohet se ai ka ndihmuar dhe mund të dijë vendodhjen e një personi të akuzuar si kriminel lufte, ndoshta të atit. Nina Bang-Jensen është Drejtore e Koalicionit për Drejtësi Ndërkombëtare, një organizatë jo-fitimprurëse për ndjekjen penale të kriminelëve të luftës. Ajo thotë se gjykata ka afat deri në vitin 2008 për të përmbushur ndjekjen penale të të akuzuarve për krime në ish-Jugosllavi, por ky afat mund të zgjatet: "Nëse Karaxhiçi, Mlladiçi dhe të tjerë nuk kapen, anëtarët e Këshillit të Sigurimit e kanë bërë të qartë se gjykata do të vazhdojë funksionimin derisa këta persona të sillen para drejtësisë. Kritikët e akuzojnë qeverinë e Serbisë se nuk ka bërë sa duhet për të kapur personat përgjegjës dhe për t’i dorëzuar ata në Gjykatën e krimeve të luftës," thotë zonja Bang-Jensen.

Ndoshta kjo do të ndryshojë. Në fillim të qershorit u bë publike një video-kasetë ku shihen anëtarë të një njësie paraushtarake serbe duke ekzekutuar gjashtë myslimanë të Bosnjës gjatë masakrës së Srebrenicës. Thuajse menjëherë pas kësaj, autoritetet serbe arrestuan katër persona që thonë se ishin përgjegjës për vrasjet. Një muaj më pas qeveria e Serbisë dënoi gjithë krimet e luftës të kryera në ish-Jugosllavi, duke iu referuar në veçanti masakrës së Srebrenicës.

XS
SM
MD
LG