Lidhje

Shqipëri: Problemet mes komisionerëve bllokojnë shpalljen e rezultateve zgjedhore


Në Shqipëri rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të tre korrikut janë ende peng i tre zonave ku problemet mes komisionerëve kanë bllokuar procesin. Komisioni qendror i zgjedhjeve është duke trajtuar me shpejtësi fluksin prej 320 ankesash, ndërsa Kolegji zgjedhor premton një trajtim brenda një kohe të shkurtër të ankesave që do t’i paraqiten. Koalicioni i djathtë i kryesuar nga Partia Demokratike ka nisur të mendojë ndërkohë për përbërjen e kabinetit të ardhshëm qeveritar

Do të jetë komisioni qendror i zgjedhjeve i cili do të duhet vendosë mbi fatin e mëtejshëm të tre zonave që po mbajnë të bllokuar shpalljen zyrtare të rezultatit përfundimtar. 7 antëarët e tij do të marrin kompetencat e komisionit të zonave 64 dhe 100 i cili nuk ka arritur të çojë deri në fund detyrn e tij për të shpallur fituesit e këtyre dy zonave.

Një problem më vetë mbetet zona 2 në veri të vendit ku më 3 korrik nuk u zhvilluan votimet në 17 qendra. Problemet me komisionerët e kanë komplikkuar së tepërmi situatën dhe në diskutim mbeten dy variante: ajo e votimit në 17 qendra apo dhe e rivotimit në të tërë zonën. E pamundur edhe shpallja e ndarjes së mandatave sipas proporcionalit ku zonës 2 i shtohet edhe ajo 92.

Komisioni qendror është përballur me një fluks shumë të madh ankesash, 320 të tilla. Shqyrtimi i tyre nuk do të thotë mbyllje automatike e procesit zgjedhor pasi një punë shumë voluminoze pret edhe kolegjin zgjedhor, ku përveç ankesave të kandidatëve do të jetë edhe kërkesa e shumë partive për rinumërimin e gjithë viotave të proporcionalit, një kërkesë e cila nëse do të miratohet do të kërkojë një kohë shumë të gjatë pavarësisht angazhimit të anëtarëve të këtij kolegji për të punuar me shpejtësi. Një rinumërim i proporcionalit rrjedhimisht do të shtynte në kohë formimin e qeverisë së re.

Megjithatë e djathta duket se po shfrytëzon këtë periudhë për të mbyllur të gjitha negociatat në gjirin e saj për përbërjen e kabinetit të ardhshëm, në mënyrë që sapo të formohet parlamenti i ri ajo të jetë e gatshme të nisë punën me qeverinë që do të kryesohet nga ish-presidenti Sali Berisha.

Përbërja e kabinetit të ri nuk do të jetë dicka e lehtë pasi zotit Berisha do t’i duhet jo vetëm të kënaqë dëshirat por edhe të shmangë xhelozitë mes aleatëve të tij, të cilat mund të jenë të dëmshme për shumicën e re dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së saj.

XS
SM
MD
LG