Lidhje

Nasa gati të nis Diskavërin në hapësirë


Një optimizëm i përmbajtur ka përfshirë inxhinierët dhe astronautët e Nasës, në pritje për lëshimin në hapësirë të anijes së parë në më shumë se 2 vjet. Anija Discovery është planifikuar të niset nesër ( 13 korrik) nga Qendra e Hapësirës Kenedi në Florida. Ky është misioni i parë i fluturimeve në hapësirë të Nasës që në shkurt 2003, kur anija Kolumbia shpërtheu gjatë kthimit në Tokë, duke shkaktuar vdekjen e të shtatë anëtarëve të ekuipazhit.

Ndërkohë që Nasa përgatitet për nisjen e anijes Discovery, misioni i ri në çdo aspekt sjell kujtime të tragjedisë me anijen Kolumbia. Në janar 2003 një segment i madh i materialit izolues u shkëput dhe krijoi një vrimë në krahun e majtë të Kolumbias gjatë ngritjes së anijes. Pikërisht ky dëmtim mendohet se shkaktoi shpërthimin e Kolumbias.

Anija Discovery do të dërgojë 7 astronautë, si dhe furnizime dhe pjesë këmbimi në stacionin ndërkombëtar të hapësirës. Misioni është shoqëruar me masa të rrepta sigurie për të shmangur një tragjedi të re. Gjatë fluturimit anëtarët e ekuipazhit do të kontrollojnë sistemet e sigurisë dhe kushtet e anijes, si dhe do të praktikojnë manovra që nevojiten për riparime të mundshme.

Profesor Xhon Logsdon është drejtor i Institutit të Politikave të Hapësirës pranë Universitetit Xhorxh Uashington. Ai ishte një ndër anëtarët e komisionit hetimor mbi aksidentin e Kolumbias dhe mendon se Nasa i ka përmirësuar parametrat e sigurisë së fluturimit në hapësirë. "Mendoj se do të jetë një moment shumë emocionues. Të gjithë do të presin me zemër të ngrirë derisa anija të kthehet pa probleme në Qendrën e Hapësirës Kenedi në përfundim të misionit. Njerëzit do të jenë shumë të tensionuar për suksesin e këtij misioni, pasi rreziku është kaq i madh".

Nëse ka probleme në anijen Discovery, astronautët do ta ndalojnë atë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Ekipi i anijes Discovery do të presë më pas që një tjetër anije të vijë për t’u kthyer në Tokë. Por stacioni i hapësirës nuk ka ushqime, ujë dhe oksigjen të mjaftueshëm për dy ekuipazhe.

Një ekip shtesë me shtatë astronautë do të kërkonte një racionalizim të rreptë të rezervave në stacion, shpjegon austronautja Uendi Lorenc: "Në bazë të përllogaritjeve parashikojmë se ne mund të qëndrojmë në stacionin hapsinor për një periudhë prej 43 ditësh".

Për të kthyer ekuipazhin në Tokë mund të dërgohet anija Atlantis. Mund të duhen së paku 35 ditë për të përgatitur anijen Atlantis për t’u ngritur nga Qendra Kenedi e Hapësirës. Stiv Lindsi është komandant i misionit të shpëtimit të kësaj anijeje: "Është hera e parë që planifikojmë paraprakisht një mision shpëtimi. Po përpiqemi, pra, që misioni i ardhshëm në hapësirë të jetë sa më i sigurtë që të jetë e mundur".

Nëse çdo gjë shkon sipas planit, misioni i anijes Discovery do të zgjasë 13 ditë.

XS
SM
MD
LG