Lidhje

Policia identifikon dy nga 4 autorët e sulmeve në Londër


Policia britanike ka identifikuar dy nga katër personat që dyshohet se kryen sulmet vetëvrasëse të javës së kaluar në Londër.

Një zyrtar britanik i kundërterrorizmit tha sot se Shahzad Tanweer është përgjegjës për një nga tre shpërthimet në trenat e metrosë, kurse Hasib Hussain ka kryer sulmin tjetër në autobuzin dykatësh.

Të dy ata kanë lindur në Britani dhe janë me origjinë pakistaneze. Edhe i treti është britanik me origjinë pakistaneze. Media britanike njofton se i pandehuri i katërt është britanik, por me origjinë nga Xhamajka.

Njoftimi u bë ndërkohë që autoritetet janë në kërkim të organizatorëve që ata mendojnë se ndihmuan autorët e sulmeve vetëvrasëse, që shkaktuan vdekjen e 53 personave.

Policia thotë se organizatori i shpërthimeve është me origjinë nga Pakistani dhe mendohet të ketë lidhje me Al-Kaidën.

Policia vazhdon të mbajë nën arrest një të afërm të njërit prej të dyshuave, që u arrestua të martën.

Ndërkohë jeta në Londër pothuajse u ndërpre sot, ndërsa makinat ndaluan dhe njerëzit të mbledhur në sheshe publike mbajtën një moment heshtje në kujtim të viktimave. Mbretëresha Elizabeth doli nga Pallati i Bakingamit dhe Kryeministri Toni Bler nderoi në heshtje, së bashku me disa punonjës të ekipeve të shpëtimit, në kopështin e banesës së tij në rrugën Dauning.

Ceremoni të ngjashme përkujtimore u zhvilluan në mbarë Britaninë dhe në Evropë.

Mes atyre që morrën pjesë ishte edhe Xhorxh Psaradakis, shoferi i autobusit që u shkatërrua nga një prej shpërthimeve.

“Mendimet e mija sot janë me familjet e viktimave të pafajshme, veçanërisht me kolegun tim, vajza e të cilit humbi jetën në autobusin tim. Me heshtjen e sotme ne nderojmë ata. Me dinjitetin tonë të heshtur dhe respektin ne tregojmë pakënaqësinë tonë të thellë për ata që vunë bombat dhe ata që i organizuan ato”, thotë zoti Psaradakis.

Shefi i policisë së Londrës Ian Bler, konfirmoi në një takim me gazetarët e huaj se policia beson se të katërt shpërthimet ishin sulme vetëvrasëse, megjithëse siç tha ai, autorët e sulmeve nuk kishin nevojë të vdisnin, por kështu vendosën të bënin.

Ai tha se lufta kundër al-Kaidës është e komplikuar, pasi al-Kaida nuk është një organizatë tradicionale terroriste, që ka kërkesa të cilat mund të negociohen.

“Në të kaluarën, organizta të tilla si Bader-Meinhof, Brigadat e Kuqe, ETA, apo Ushtria Republikane Irlandeze e kanë gjetur rrugën e tyre tek tryeza e bisedimeve përmes bombave. Ajo që po ndodh sot është, se këta njerëz po i venë bombat në vetë tryezën e bisedimeve”, thotë shefi i policisë Bler.

Në një konfercë shtypi më pas policia i bëri thirrje publikut për informacione rreth lëvizjes së Hasib Huseinit, personit që dyshohet se realizoi shpërthimin në autobuz dhe autoritetet lëshuan një imazh të tij, të asaj dite, duke mbajtur në sup një çantë që dyshohet se kishte brenda bombën.

Policia po ashtu identifikoi Shahzad Tanweer si i dyshuari kryesor i trenit në stacionin e metrosë Aldgate. Sipas shtypit, 22 vjeçari Tanweer, ishte një i ri me sjellje të buta dhe tifoz kriketi.

XS
SM
MD
LG