Lidhje

Serbia ndryshon qëndrimin ndaj Gjykatës së Hagës


Presidenti i Serbisë i bëri thirrje ish komandantit ushtarak të serbëve të Bosjes, Ratko Mlladiç të dorëzohet tek Gjykata e Hagës, për shkak të rolit të tij gjatë luftës në Bosnje dhe masakrës së mbi 7 mijë burrave e djemve në Srebrenicë. Kjo kërkesë shënon një ndryshim në qëndrimin e Serbisë.

Presidenti i Serbisë Boris Tadiç u tha anëtarëve të Partisë së tij Demokratike se gjenerali Mlladiç duhet të dorëzohet. Zoti Tadiç u bëri thirrje institucioneve të Serbisë të plotësojnë detyrimet e tyre për gjetjen dhe ekstradimin e zotit Mlladiç në Hagë, ku kërkohet për krime lufte.

Ish gjenerali i serbëve të Bosnjes akuzohet se ka dhënë urdhër për masakrën e mbi 7 mijë burrave e djemve myslimanë, pasi forcat serbe pushtuan enklavën e Srebrenicës në vitin 1995 që ishte shpallur zonë e sigurtë dhe mbrohej nga forca të OKB-së. Gjenerali Mlladiç mendohet se fshihet në Serbi.

Presidenti Tadiç, i cili mori pjesë të hënën në ceremonitë përkujtimore me rastin e 10 vjetorit të masakrës së Srebrenicës, tha se pa arrestimin e gjenerlait Mlladiç, Serbia nuk mund të hyjë në programin e Natos, Partneritet për Paqe, ose në Bashkimin Evropian.

Serbia ndjek një politikë të jashtme që ka si synim anëtarësimin në institucionet evropiane, veçanërisht në Bashkimin Evropian. Serbia ka qënë nën trysni të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për të dorëzuar gjeneralin Mlladiç dhe udhëheqësin politik të serbëve të Bosnjes gjatë luftës, Radovan Karaxhiç.

Thirrja e Presidentit të Serbisë për dorëzimin e zotit Mlladiç, le të kuptohet se Serbia mund të jetë më e gatshme se në të kaluarën për të bashkëpunuar me Gjykatën e Hagës. Dhe gjatë javëve të fundit, zyrtarë të Gjykatës dhe zyrtarë amerikanë, kanë lënë të kuptohet se ata po shohin një ndryshim në qëndrimin e Serbisë ndaj Hagës.

Minsitri i Jashtëm i Holandës, Bernard Bot, që ishte për vizitë në beograd, në takimet me Presidentin Tadiç, Kryeministrin Koshtunica dhe Ministrin e Jashtëm Drashkoviç, ritheksoi kërkesën e perëdnimit që gjenerali Mlladiç të dërgohet në Hagë.

Analisti dhe botuesi Bratislav Grubaçiç thotë se pas disa vite vonesash, qeveria e Serbisë po e përgatit publikun për kapjen e gjeneralit Mlladiç. Zoti Grubaçiç thotë se tani që disa serbë po heqin dorë nga mohimi dhe po i pranojnë krimet e kryera nga serbët në Srebrenicë, mbështetja për gjeneralin Mlladiç ka rënë ndjeshëm. “Nuk besoj se transferimi i gjeneralit Mlladiç në Hagë do të sillte ndonjë pasojë dramatike, ose protesta. Unë besoj se mentaliteti në Serbi ka ndryshsuar, krahasuar me 5 – 6 vjet më parë.”

Deri kohët e fundit, shumë serbë e konsideronin gjeneralin Mlladiç si një patriot, që ishte bërë padrejtësisht objekt i vendeve perëndimore, që mbajnë qëndrim armiqësor ndaj Serbisë. Ky koncept, thonë shumë analistë në Beograd, ka ndryshuar që nga muaji i kaluar, kur televizioni serb paraqiti një video-kasetë ku shiheshin forca speciale serbe duke vrarë myslimanë të paarmatosur në afërsi të Srebrenicës. Prokurorja e Gjykatës së Hagës., Karla del Ponte, thotë se qeveria e Serbisë, ka premtuar ta dorëzojë gjeneralin Mlladiç në Hagë deri në fund të këtij viti.

XS
SM
MD
LG