Lidhje

Suksesi i Walmartit - konsumatorët


Në biznes ka suksese të mëdha, më të mëdha dhe pastaj vjen Walmarti, kompania më e madhe e shitjeve me pakicë që punëson më shumë amerikanë. Sam Walton ishte ai që krijoi dyqanet e Walmartit. Jugor me etikën e punës, Walton kishte një ide më shumë se 40 vjet të shkuara që u shndërrua në një histori të suksesit të madh në Amerikë.

Në zemër të suksesit të Walmartit janë konsumatorët, ata që Sam Walton iu referohej si bosa. Kur hapi dyqanin e parë në Arkansas në vitin 1962, ai kishte një plan të thjeshtë biznesi... të kënaqte konsumatorët duke u ofruar shërbim të mirë dhe një variete prodhimesh me çmimet më të ulta të mundura. Mia Masten punon për korporatën Walmart në departamentin e marrëdhënieve me publikun.

"Filozofia e Sam Waltonit ishte respekt për individët, konsumatori gjithmonë ka përparësi", thotë zonja Masten. Kjo formulë u bë motivi i rritjes së kompanisë. Deri kur Sam Walton vdiq në vitin 1992, produktet e Walmartit ishin në çdo vend të Amerikës dhe në 8 vende të tjera.

Sot kompania punëson më shumë se 1 milion e 600 mijë njerëz. Tim Kane ekonomist në fondacionin Heritage thotë se shpirti novator i Walmartit është çelësi i suksesit. "Kompania ka bërë gjëra që nuk mendoheshin në biznesin e shitjeve me pakicë", thotë analisti.

Një nga risitë e Walmartit ishte ideja për t’u dhënë konsumatorëve amerikanë mundësinë e pazarit me një ndalesë. Ai ndërtoi dyqane super të mëdhenj ku konsumatorët mund të blinin çdo gjë, nga rrobat tek ushqimet, të gjitha në një vend. "Amerikanëve nuk u duhet të ndalojnë në disa vende për të blerë tre gjëra, bluza, rush apo letër. Në se shkon në një dyqan të vetëm dhe i blen të gjitha këto, ke leverdi dhe çmim të ulët".

Nga fundi i këtij viti, Walmart shpreson të ndërtojë edhe 250 dyqane gjigande duke e çuar numrin e tyre në 1 mijë e 900. Këtu nuk përfshihen dyqanet me madhësi normale që janë më shumë se 8 mijë metra katrore. Konsumatorëve iu pëlqen ideja.

Mesatarisht mbi 4 milion konsumatorë shkojnë në Walmart çdo muaj. Vetëm vitin e kaluar, kompania pati mbi 250 miliardë dollarë shitje. Për të shtuar shitjet, Walmart ka perfeksionuar përdorimin e teknologjisë informative. Sa herë që një arkëtare skanon një produkt, informacioni shënohet në kompjuter dhe analizohet nga Walmart për të parë çfarë kërkojnë konsumatorët dhe kur.

Duke ditur çfarë shitet dhe çfarë jo, kompania ka krijuar avantazh ndaj të tjerëve. Si dyqani më i madh i shitjeve me pakicë, Walmart ka fuqi të madhe blerëse dhe mund tu kërkojë prodhuesve amerikanë artikujt me një çmim të caktuar. "Kompania ka krijuar një sistem të efektshëm të furnizimit duke shkurtuar shumë shpenzime. Duke qënë lojtar kaq i madh ata i vënë në konkurencë prodhuesit amerikanë".

Duke kontrolluar kostot e prodhimit, Walmart ka mundësi tu ofrojë konsumatorëve “çdo ditë çmimin më të ulët” që mesatarisht është 20 deri në 30 përqind më i ulët sesa konkurenca.

Por ndërsa ky është lajm i mirë për konsumatorët, kritikët shqetësohen se kjo rrezikon vendet e punës për amerikanët. Alan Tonelson drejton këshillin për Industrinë dhe Biznesin Amerikan, organizatë që përfaqëson manifekturat mesatare dhe që vogla që ndjejnë presionin e fuqisë së Walmartit. "Problemi qëndron në faktin se edhe pse Walmarti jep çmime relativisht të lira sipas standarteve amerikane, modeli i tij i biznesit i detyron një numër të madh të kompanive që e furnizojnë atë ta dërgojnë biznesin jashtë vendit".

Zyrtarët e Walmartit nuk janë dakort. Ata thonë se kompania shpenzoi 18 miliardë dollarë në produktet nga Kina vitin e kaluar... një shumë ndjeshëm më e vogël sesa produktet e blera nga furnizuesit në Amerikë. "Ne shpenzojmë mbi 137 presje 5 miliardë dollarë nga më shumë se 68 mijë furnizues amerikane. Në se do ti vinim këto para në një biznes ai do të klasifikohej i pesti nga revizta Fortune 500", thotë zonja Masten.

Po ti shtosh këtij numri faktin se Walmarti është punëdhënësi më i madh në Amerikë, mund të shohësh më mirë ndikimin e madh që kompania ka në ekonominë amerikane. Kjo fuqi i ka dhënë Walmarti si lëvdata edhe kritika.

XS
SM
MD
LG