Lidhje

Gjykata serbe dënon 7 vetë për vrasjen e ish presidentit Ivan Stamboliç


Një gjykatë e Beogradit dënoi 7 vetë lidhur me vrasjen në vitin 2 mijë të ish-presidentit të Serbisë Ivan Stamboliç. Mes tyre, ish-komandanti i trupave paraushtarake, Milorad Ulemek u dënua me 40 vjet burgim për vrasjen dhe për tentativën e dështuar për vrasje në të njëjtin vit ndaj Ministrit të tanishëm serb të Punëve të Jashtme, Vuk Drashkoviç.

Ndërsa ish-shefi i policisë sekrete Rade Markoviç u dënua me 15 vjet për mbulimin e krimeve. Të pesë personat e tjerë, që kryen krimin, u dënuan me 15 deri 40 vjet burgim. Gjykata tha sot se për vrasjen kishte dhënë urdhër ish-presidenti Sllobodan Millosheviç, ndaj të cilit aktualisht është duke u zhvilluar gjyqi në Gjykatën e Hagës për Krime Lufte.

Ish-udhëheqësi jugosllav mohon përfshirjen në vrasje. Ai do të gjykohet lidhur me vrasjen zotit Stamboliç pas gjykimit të tij nga Gjykata e Krimeve të Luftës. Zoti Stamboliç u zhduk ndërsa kishte dalë për të vrapuar në Beograd në vitin 2 mijë, pasi ishte marrë vesh se ai do të ishte rivali i mundshëm i Sllobodan Millosheviçit, i cili në atë kohë kandidonte për rizgjedhjen e tij në postin e presidentit. Trupi i zotit Stamboliç u gjet në veri të Serbisë në vitin 2003, me plagë plumbi në kokë.

XS
SM
MD
LG