Lidhje

Shpikjet e reja në panairin e Pensilvanisë


Revolucioni industrial konsiderohet si epoka e artë e produkteve të reja. Nga viti 1790 deri në ditët tona Zyra e Patentave në Shtetet e Bashkuara ka dhënë 6 milion patenta. Shpikës nga mbarë bota vazhdojnë të punojnë në projekte me shpresën se artikulli i tyre do të mbushë një nevojë të konsumatorëve dhe do t’u sigurojë atyre të ardhura të mëdha. Kohët e fundit 300 shpikës sollën produktet e tyre në Pitsburg të Pensilvanisë

Të gjitha produktet që përdorim për të na e lehtësuar jetën dhe për të na argëtuar e kanë zanafillën tek një ide. Për 22 vjet me radhë në Pitsburg organizohet panairi i shpikësave, të cilët mblidhen këtu çdo vit për të ekspozuar krijimet e tyre. Xheni Loulor punon me organizatorët e panairit: "Shpikësit vijnë nga mbarë bota me shpresën për të lidhur kontakte me kompanitë dhe bizneset që mund t’i ndihmojë që ta fusin idenë e tyre në linjën e prodhimit në masë".

Shpikjet janë në disa raste shumë të sofistikuara, por në pjesën më të madhe shpikjet i përgjigjen një nevoje të konsumatorit. Reimond Ziem është me profesion inxhinier. Dilema e tij: si të ngrohë ujin më shpejt. Për këtë ai krijoi një sistem që e qarkullon pa pushim ujin e ngrohtë: "Një natë isha te shtëpia e një miku dhe po shihnim si uji i ngrohtë u harxhua dhe po derdhej në tuba, ndërsa ne prisnin që të ngrohej një sasi tjetër uji në kaldajë. Unë jam inxhinier dhe vendosa që të përpiqesha të gjeja një zgjidhje për problemin".

Në anglisht ka një shprehje proverbiale: shpikësit përpiqen të krijojnë një kurthë më të mirë për të kapur minjtë. Ideja është se ata përpiqen të përmirësojnë një produkt që ekziston në treg. Por Çeng Li e mori këtë shprehje në kuptimin e drejtpërdrejtë dhe krijoi një kurthë për minj dhe kafshë të tjera, e cila i kap brejtësit pa e vrarë kafshën: "Miu afrohet për të ngrënë ushqimin, dhe dera e kurthës mbyllet automatikisht".

Disa shpikje tregojnë një nivel të lartë imagjinate por nuk janë artikuj të domosdoshëm. Pajisja e Beri Nausit shpërben për të vendosur automatikisht topat e golfit në mbajtëse: "Fut në makinë topin dhe mbajtësen dhe pasi shtyp butonin, je gati të fillosh të luash golf".

Diana Lëfevrë dhe i shoqi, të dy francezë, u përpoqën të gjenin një mënyrë të shpejtë për të pastruar jashtëqitjet e qenit:"Ideja është që të mos nohasësh gjë", thotë ajo. Një shpikëse tjetër po ekspozon një shtrat me vrimë që ndihmon gratë shtatzëna kur flenë. Dikush tjetër ka paraqitur parashuta për njerëzit që ndodhen në grataçela ku ka rënë zjarri dhe duan të shpëtojnë. Plus ka një shumëllojshmëri produktesh për banjon. Një prej modeleve, i quajtur Ekomoud, përdor më pak ujë por ka fuqi të mjaftueshme për larjen e tualetit. Disa nga shpikjet janë vetëm për argëtim. Pet Xhoiner ka paraqitur këtë shpikje: një çantë dore me një orë të madhe në të.

Tom Pataka ka shpikur një shtresë me të cilën veshen dhëmbët për t’i bërë të bardhë, ose në çdo lloj ngjyre tjetër. Xhei-Dak Xhun ka shpikur një këpucë patinazhi, e cila ka rrota që palosen duke krijuar shollën e një këpuce normale. Ai ka ardhur nga Koreja e Jugut për të shitur shpikjen e tij. Në zemër të këtyre shpikjeve është krijimtaria, megjithëse edhe dëshira për para është një faktor i rëndësishëm nxitës. Çdokush vjen me shpresën se do të bëhet mishërim i ëndrrës amerikane. Për këtë duhet këmbëngulje.

XS
SM
MD
LG