Lidhje

Hand: pavarësisht nga problemet, shpresoj që në fund të fundit do të arrihet në përfundimin se zgjedhjet përmbushën standardet ndërkombëtare


Intervistë me zyrtarin e lartë të Komisionit Amerikan të Helsinkit, Bob Hand, i cili sapo u kthye nga Shqipëria.

Zëri i Amerikës: Zoti Hand, ju ishit në Shqipëri si vëzhgues. ODIRI nxori raportin e dytë pas zgjedhjeve, në të cilin nuk jepen vlerësime pozitive për procesin zgjedhor. Para 3 korrikut, zgjedhjet u cilësuan si shumë të rendësishme për ecurinë e demokracisë në Shqipëri, për integrimin e saj në institucionet evropiane. A mendoni ju se e kaloi Shqipëria këtë prove?

Bob Hand: Mendoj se deri diku është tepër herët të thuhet në se Shqipëria e kaloi këtë provë. Më shumë se 2 javë nga dita e zgjedhjeve procesi i përcaktimit të fituesit vazhdon dhe ky proces nuk duhet të konsiderohet i përfunduar deri sa të mblidhet parlamenti i ri dhe të formohet qeveria e ardhshme. Prandaj mendoj se është tepër herët të thuhet në se Shqipëria e kaloi këtë provë. Ndërkohë ekzistojnë disa probleme si për shembull numërimi i votave dhe vetë procesi i zgjedhjeve, siç është theksuar në raportin e ODHIR-it. Gjithashtu ka shqetësime që këto çështje nuk u diskutuan më herët. Megjithatë shumë përmirësime janë vënë re dhe këto përmirësime do të identifikohen jo me ankesat, që po i paraqiten komisionit qëndror të zgjedhjeve, por nga mënyra se si komisioni do t’i zgjidhë ato në mënyrë të ligjshme dhe jo me tendenca partiake. Megjithëse nuk mund të them përfundimisht në se zgjedhjet përmbushën standardet ndërkombëtare, ekziston mundësia që në fund të fundit të arrihet në përfundimin se kjo ndodhi. Tani për tani ekziston një farë zhgënjimi që nuk mund të themi se zgjedhjet u zhvilluan në bazë të standardeve ndërkombëtare sepse kjo ishte pikërisht ajo që donim të shikonim të ndodhte në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Siç e përmendët edhe ju rezultati përfundimtar i zgjedhjeve nuk është konfirmuar. Shqipëria nuk ka shumë përvojë përsa i përket kalimit të pushtetit nga një parti tek tjetra. Sa i përgatitur është vendi për këtë kalim të pushtetit?

Bob Hand: Shqipëria ka përjetuar kalimin e pushtetit nga një parti në tjetrën edhe më parë; në vitin 1992 e 1997. Asnjëri prej këtyre kalimeve të pushtetit nuk ishte i qetë dhe i pastër dhe deri sa një gjë e tillë të ndodhë vendi nuk është gati për kalimin normal të pushtetit, prandaj edhe po shohim pengesa. Nga njëra anë zoti Berisha dëshiron të veprojë me shpejtësi për formimin e qeverisa, ndërsa Fatos Nano përpiqet ta ndalojë atë, duke mos qenë i gatshëm të pranojë rezultatin, i cili megjithë parregullsitë, është më se i qartë. Shpresoj që të dy udhëheqësit të arrijnë në përfundim se mos mbyllja e procesit zgjedhor do të ishte destabilizues për vendin dhe se për të mirën e Shqipërisë dhe për hir të përparimit ata do ta mbyllin këtë proces. Vakumi politik krijon kushte që të ndodhin disa gjëra negative për shoqërinë, me të cilat, mendoj se Shqipëria është përballur më parë. Populli shqiptar meriton më shumë. Me të vërtetë shpresoj që këto çështje të zgjidhen, KZQ-ja të shpallë rezultatin me integritet dhe rezultati të respektohet. Pas kësaj të vazhdohet me formimin e qeverisë dhe me trajtimin e çështjeve të tjera, si integrimi në Evropë, çrrënjosja e korrupsionit, ngritja e standartit të jetesës, e të tjera çështje që janë të rëndësishme për Shqipërinë.

Zëri i Amerikës: Para zgjedhjeve, në botën perëndimore pati disa zëra që mbështetën Partinë Socialiste dhe zotin Fatos Nano si alternativa më e mire për të udhëhequr Shqipërinë në një kohë kritike si për vetë vendin ashtu edhe për gjithë rajonin. Si i shikoni ju këto argumente në mbështetje të njërës parti apo tjetrës?

Bob Hand: Gjithnjë ka pasur akuza se komuniteti ndërkombëtar mbështet partinë në pushtet dhe deri diku kjo është e vërtetë sepse komuniteti dhe diplomacia ndërkombëtare në përgjithësi i shikojnë me shqetësim ndryshimet. Ndërkohë, institucione të ndryshme që mbështesin të drejtat e njeriut dhe demokracinë përpiqen të ndikojnë në politikën e Shteteve të Bashkuara dhe të komunitetit ndërkombëtar se ndryshimet janë pozitive. Megjithatë fjalën e fundit e patën votusit shqiptarë dhe nuk mendoj se ka pasur ndonjë mbështetje të hapur për një parti apo tjetër. Pas 8 vjet të qëndrimit në pushtet, në çdo vend demokratik, njerzit duan ndryshime. Dhe kjo është më se e vërtetë për Shqipërinë për shkak të korrupsionit, që duket qartë se ekziston në vend, që shtrihet deri në qeveri e që është shumë problematik.

Zëri i Amerikës: Dhe pikërisht ajo që thatë ju rreth votës së vetë shqiptarëve më çon mua tek pyetja tjetër. Shqipëria megjithëse ka ende shumë për të bërë që të konsiderohet një vend demokratik, ajo po ecën drejt demokracisë. Në zgjedhjet e 3 korrikut, megjithëse ka pasur parregullsi, zgjedhësit shqiptarë hodhën votën e tyre për kandidatin e preferuar. Me çfare mandati vjen Sali Berisha në postin e kryeministrit?

Bob Hand: Mendoj se ai vjen në pushtet kryesisht me një mandat për të luftuar korrupsionin, që ka pllakosur Shqipërinë në gjitha nivelet dhe që pengon përparimin e vendit. Korrupsioni është gjithashtu edhe një prej sfidave kryesore, me të cilat do të përballet qeveria e tij. Korrupsioni është aq i përhapur duke u shtrirë edhe në qeveri, sa që votuesit arritën në përfundimin se ky fenomen duhet ç'rrënjosur. Pra zoti Berisha ka një mandat të fortë për ta luftuar korrupsionin dhe për ta çuar vendin drejt integrimit evropian. Gjithashtu ai përballet me një detyrë të vështirë që të mos e kthejë luftën kundër korrupsionit në një gjueti shtrigash me motive politike. Ai duhet të veprojë kundër zyrtarëve me të vërtetë të korruptuar dhe jo t’u qepet njerzve për motive politike. Ashtu si për çdo çështje, edhe në luftën kundër korrupsionit, ai duhet të respektojë shtetin ligjor në luftën kundër korrupsionit dhe në të njëjtën kohë të sigurohet që ky fenomen nuk prek qeverinë e tij. Dua të them gjithashtu se megjithëqë komuniteti ndërkombëtar vuri standarde të larta për zgjedhjet e 3 korrikut, procesi zgjedhor në Shqipëri është përmirësuar dhe vullneti i popullit do të pasqyrohet në rezultatin e zgjedhjeve, të cilat shpresoj që të tregojnë përfundimisht se u fituan nga demokratët, të cilët me partitë aleate do të formojnë qeverinë. Mendoj se çështja më e rëndësishme për komunitetin ndërkombëtar e ndoshta edhe për popullin shqiptar është se Berisha do të kishte një mandat edhe më të fortë në se do të ishte e qartë se ai ishte me të vërtetë alternativa më e mirë ndaj socialistëve, dhe se ai kishte mësuar nga e kaluara dhe se do të ndjekë rrugën e reformave demokratike për t’i bërë të mundur Shqipërisë që të arrijë potencialin e saj të plotë. Ndërsa kam shpresë se do të arrihet në përfundimin se Shqipëria ka bërë përparim të mjaftueshëm për të ndërmarrë hapat e ardhshëm të nevojshëm drejt integrimit evropian, kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë se vendi nuk ka nevojë për të përmirësuar formën se si zhvillohen zgjedhjet. Komuniteti ndërkombëtare deshi që Shqipëria të zhvillonte zgjedhje të sukseshme, prandaj edhe pati zhgënjime që kjo dëshirë dhe shpresë nuk u përmbush. Shpreson që pas formimit të qeverisë, të gjitha palët të arrijnë në përfundimin se është në të mirën e vendit që të bashkëpunojnë mes tyre si dhe me OSBE-në e organizata të tjera për të bërë edhe më shumë përparim në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të jenë edhe më të sukseshme dhe të përmbushin pa dyshim standartet ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG