Lidhje

Dilema e një komuniteti amerikan ndaj hapjes së një dyqani Walmart


Distrikti Calvert në shtetin e Merilendit, jo shumë larg Uashingtonit, dikur vendi i fermerëve dhe peshkatarëve, po zhvillohet me shpejtësi. Ky qytet i vogël po tërheq sot vëmendje në mbarë vendin, si rasti më i fundit në një seri betejash kundër firmave gjigande të shitjeve me pakicë. Distrikti Calvert është vënë përballë firmës më të madhe në Amerikë – Walmartit.

Kur pashë shenjën që thoshte se Walmarti do të hapet së shpejti, thashë me vete: “Ta Shohim,” tregon Robin Gotlib. Walmarti ka në plan të hapë dyqan në Dunkirk të distriktit Calvert në lindje të shtetit Maryland. Dhe Robin Gotlib e cila drejton një grup të njohur si Banorët e Calvertit për Rritje të Qëndrueshme kërkon ta ndalojë atë.

Por Walmartin nuk e ndalon dot kollaj. Me më shumë se 3 mijë dyqane në Amerikë, Walmarti është gjigand ekonomik, shitësi më i madh me pakicë dhe punëdhënësi më i madh në vend. Suksesi i tij bazohet në një model biznesi të thjeshtë...konsumatori është i pari.

Mikëpritja është vetëm pjesë e asaj që duket. Dyqanet e Walmartit u ofrojnë konsumatorëve mijëra prodhime, nga artikujt ushqimor tek veshjet, me çmime të lira në dyqane gjigande që u ngjajnë hamgarëve. "Gjithshka e blej këtu, që nga pijet, tek ushqimi i qenit, rrobat për fëmijët, çdo gjë. Çmimet janë më të mira, është shumë më lirë se në dyqanet e tjera dhe është më kollaj," tregon një konsumatore.

Por të tjerë në komunitetin Dunkirk shqetësohen se Walmarti do të ndryshojë karakterin e qytetit të tyre të vogël, do të ngarkojë trafikun dhe do të dëmtojë bizneset e vogla. Në një seancë me pyetje përgjigje nga publiku në korrik të 2004ës, zyrtarët dëgjuan të dyja palët. Nga shqetësimet e ngritura u formulua një ligj i cili kufizon madhësinë e dyqaneve në 8 mijë metra katrore, shumë më pask sesa madhësia mesatare e dyqaneve gjigande të Walmartit. Por korporata gjeti një të çarë në ligj dhe propozoi të ndërtojë dy dyqane sipas madhësisë ligjore, njëra pas tjetrës. Kundërshtarët që menduan se e kishin fituar luftën, u zemëruan.

"Nuk e pranojmë që dikush të vijë dhe të thotë se do të anashkalojmë ligjet në distriktin tuaj dhe do e gjejmë anën. Kjo nuk është e drejtë," thotë zonja Gotlib.

Më pas përfaqësuesit e Walmartit duke kërkuar të mënjanojnë një betejë ligjore, vendosën të ndërtonin vetëm një dyqan sipas kufizimeve të ligjit. Por ata vazhdojnë të argumentojnë se anketat e tregojnë se banorët në këtë zonë preferojnë dyqane më të mëdha dhe se janë vënë në shënjestër pa të drejtë. Mia Masten përfaqëson korporatën Walmart. "Sipas pikëpamjes sonë, konsumatorët duhet të vendosin ku do të bëjnë pazarin. Janë ndërtuar disa dyqane të tjerë më të mëdhenj sesa lejon ligji dhe kjo është e padrejtë për Walmartin," thotë zonja Masten.

Në fakt Dunkirk është një nga shumë komunitete ku Walmarti ka patur shumë kundërshtarë. Disa nga shqetësimet kanë të bëjnë me estetikën që ofrojnë dyqanet e vogla por lind gjithashtu pyetja se çfarë do të ndodh me dyqanet e vogla anës rrugëve. Për Robin Gottlieb përgjigja është evidente. "Asnjë nuk do të shkojë të blejë tek dyqanet e vogla kur këtu e blen më lirë. Ka shumë ulje çmimesh dhe kjo ka një efekt psikologjik të madh tek konsumatorët".

Alan Tonelson i këshillit për Industrinë dhe Bizneset amerikane thotë se çmimet janë 20 deri 30 përqind më të ulta sesa konkurrentët dhe kjo do të thotë se Walmarti eventualisht do të shkatërrojë shumë biznese të vogla si këto në Dunkirk. "Walmarti ka më shumë fuqi financiare se kushdo tjetër dhe ata mund të shesin produkte me çmime aq të ulëta saqë mund të nxjerrin nga biznesi të tjerët. E kanë bërë këtë qytet pas qyteti," thotë zoti Tonelson.

Por Walmarti insiston se krijon qindra vende pune në komunitete ku ai ndërton dhe thotë se paratë që konsumatorët kursejnë nga çmimet e ulëta ndihmojnë në stimulimin e ekonomisë edhe më shumë. "Ne u kursejmë konsumatorëve 20 miliardë dollarë me programet tona të çmimit më të lirë. Dhe nuk është e çuditëshme aspak kur pranojmë mijëra aplikime punësimi në dyqanet që hapim," thotë përfaqësuesja e korporatës Walmart, Mia Masten.

Efekti i Walmartit i shqetëson bizneset e tjera të shitjes me pakicë. Në disa komunitete dyqanet kanë arritur të mbijetojnë duke u specializuar në produkte që Walmarti nuk i ofron. Por të tjerëve u është dashur të mbyllin dyert.

Megjithëse kundërshtarët në distriktin Calvert e fituan betejën për të kufizuar madhësinë e dyqanit Walmart, përfaqësuesit e korporatës thonë se do ta rishqyrtojnë situatën pas pesë vjetësh. Deri atëherë ata janë të sigurtë se konsumatorët do të jenë mësuar aq shumë me çmimet e lira të Walmartit saqë do të mirëpresin një dyqan më të madh. Kjo mund të realizohet. Në fund të fundit me 250 miliardë dollarë shitje në vit dhe me plane për të ndërtuar 300 dyqane të tjerë vitin e ardhshëm, Walmarti duket se do të dalë fitimtar.

XS
SM
MD
LG