Lidhje

Lens Armstrong - një sportist legjendar dhe simbol i triumfit njerëzor


Çiklisti amerikan Lens Armstrong do të largohet nga sporti pas turneut të këtij viti në Francë. Në materialin në vazhdim i hedhim një vështrim udhëtimit të Armstrongut për në krye të garës.

Lens Armstrong është çiklist profesionist prej më shumë se 20 vjetësh por tani karriera e tij pothuajse po merr fund. Ai i dha emrin dhe imazhin këtij sporti që më parë tërhiqte pak vëmendje. Para këtij turneu të Francës, Lens Armstrong vendosi rekordin e ri me 6 fitore radhazi.

Armstrongu e filloi karrierën sportive në moshën 13 vjeçare dhe shpejt shkëlqeu. Pasi u stërvit me ekipin olimpik amerikan gjatë vitit të fundit të shkollës së mesme ai vendosi të përqëndrohet vetëm tek çiklizmi. Në vitin 1996 u shpall numri 1 i çiklizmit botëror. Por në tetor të vitit 1996 u detyrua të zbriste nga biçikleta dhe të shtrohej në spital. Ankohej për dhimbje të forta dhe u diagnostikua me kancer të testikulës. Armstrongu e rikujton kështu atë kohë:

"Ishte shumë e vështirë ditët e para; të dëgjosh atë lajm kur sigurisht as nuk e pret, është një moment kritik në jetën tënde, moment shumë thelbësor," thotë çiklisti. Me më pak se 50 përqind shanse për të jetuar, Lance Armstrong filloi trajtimin agresiv me kimoterapi. Ai mori kura të ndryshme dhe kërkoi ndihmën e mjekëve të specializuar.

"Për të luftuar kancerin përdora të njëjtën strategji si në garë. Krijova një grup pune që u përpoq të gjejë alternativat më të mira dhe shkova në vende që më bënin të ndjehesha mirë," thotë çiklisti.

Shërimi i Lens Armstrongut nga kanceri shihet nga shumë si një mrekulli. Ai përfundoi kurimin dhe nuk i është përsëritur sëmundja. Shumë njerëz menduan se nuk do të hynte më në garë dhe se kanceri do ti jepte fund karrierës së tij. Por ai vendosi të hipte përsëri në biçikletë dhe vazhdoi aty ku e la garën. Nuk ishte aq e lehtë sa e mendonte. Në vitin 1998 në një mot të ftohtë dhe të lagësht në Paris ai u tërhoq nga gara. Shpejt e kuptoi se nuk ishte gati të vazhdonte garën dhe vendosi të shkëputej ca kohë e të stërvitej.

Në vitin 1999, Lens Armstrong u kthye përsëri në formë të mirë sportive. Ai u rradhit në krye të garave ku konkuroi, por sytë i kishte në një garë, Turneu i Francës. Futja në garë ishte fitore në vetvete, por Armstrong arriti të fitojë gjithë garën. Ai hyri përsëri në Turneun e Francës në vitin 2000 dhe përsëri fitoi, dhe ka fituar çdo vit që nga ajo kohë. "Asnjë nuk do të thotë apo të mendojë se është më fatlumi në botë, por unë me siguri kam qënë i pari në radhë kur ndanin fatin".

Nëpër vitet e stërvitjes dhe të fitoreve, Armstrongu i kushtoi kohën e lirë luftës kundër kancerit duke krijuar fondacionin Lens Armstrong vetëm disa muaj pasi u diagnostikua. Fondacioni ka grumbulluar para për arsim dhe kërkime shkencore. Megjithatë fondacioni u bë i famshëm nga byzylykët plastikë Live Strong që u bënë aq popullorë. Fondacioni ka shitur gati 50 milion të tillë në mbarë botën shumë tek të rinjtë që kërkojnë të ndihmojnë sado pak që kanë mundësi. "Në moshën tonë nuk mund të ndihmosh shumë financiarisht por mund të shfaqësh mbështetje duke mbajtur byzylykun. Lance Armstrong adhurohet nga shumë sportdashës por tani, pasi luftoi kancerin dhe fitoi Turneu e Francës me një numër rekord ai është gati të tërhiqet," thotë një tifoze.

"Kam vendosur që Turneu i Francës të jetë i fundit i karrierës sime si profesionist, kështu që 24 korriku do të jetë dita e fundit. Pas më shumë se 14 vite si profesionist, do të jetë gara e fundit që humbas apo fitoj. Por jam i vendosur ta fitoj turneun për të shtatën herë rradhazi," thotë Armstrong.

Pra fundi i turneut të Francës do të shënojë fundit e një karriere spektakolare. Për miliona njerëz në mbarë botën Lens Armstrongu ka qënë frymëzues dhe arritjet e tij si ato profesionale edhe personale nuk do të fashiten shpejt.

XS
SM
MD
LG