Lidhje

Roli dhe rëndësia e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara


Beteja për konfirmimin në senat të kandidatit për anëtar të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, John Roberts, do të shërbejë si kujtesë se sa e rëndësishme është gjykata e lartë si për sistemin amerikan të qeverisjes ashtu edhe për qytetarët. Në vijim mund të njiheni në hollësi me rolin dhe rëndësinë e Gjykatës së Lartë Amerikane.

Historikisht, emërimet për në Gjykatën e Lartë janë mes vendimeve më të rëndësishme që mund të marrë një president. Me që shumica e anëtarëve të Gjykatës së Lartë shërbejnë për një kohë shumë të gjatë, shpesh ata kanë ndikim ndaj ligjit dhe shoqërisë për shumë kohë edhe pas largimit nga Shtëpia e Bardhë e presidentit që i emëron ata. Duket se presidenti Bush e pati një gjë të tillë në mëndje kur emëroi gjykatësin federal, 50 vjeçarin John Roberts si kandidat për në Gjykatën e Lartë pas njoftimit të gjykatëses Sandra Day O’Connor për të dalë në pension.

“Kur Presidenti emëron një anëtar të Gjykatës së Lartë, ai vendos në duar njerëzore autoritetin dhe fuqinë e ligjit. Vendimet e Gjykatës së Lartë ndikojnë tek jeta e çdo amerikani,” tha presidenti.

Themeluesit e Republikës Amerikane i dhanë Gjykatës së Lartë një rol të rëndësishëm si pjesë e një sistemi të ndërlikuar të qeverisë për të krijuar të ashtuquajturën kontroll e balancë mes 3 degëve të saj. Kongresi u krijua për të miratuar ligje, ndërsa funksioni kryesor i presidentit është t’i zbatojë këto ligje. Varet nga dega e tretë e qeverisë, juridiku, me në krye Gjykatën e Lartë që t’i interpretojë ligjet.

Fillimisht Gjykata e Lartë kishte 6 anëtarë, po ky numër u rit në nëntë në vitin 1869. Në vitet e para të republikës, Gjykata e Lartë kishte relativisht pak ndikim. Kjo ndryshoi me një vendim të gjykatës në vitin 1803 që krijoi një precedent të rishikimit të ligjeve. Që prej atëhere, ka mbetur në dorë të Gjykatës së Lartë që të vendosë në se aktet e presidentit, kongresit dhe legjislaturave shtetrore janë në përputhje me kushtetutën amerikane.

Profesorja Mary Cheh në Universitetin George Washington është eksperte mbi Gjykatën e Lartë. “Pak vende kanë një sistem kaq të fortë sa tonin, ku një shumicë e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, nëpërmjet interpretimit të kushtetutës, interpretim që bëhet në shumë mënyra, mund të vendosë që një akt i një dege tjetër të qeverisë, qoftë presidenti, kongresi apo legjislaturat shtetrore, nuk është kushtetutor. Dhe ky vendim bëhet ligj i vendit,” thotë profesorja Cheh.

Me kalimin e viteve, Gjykata e Lartë ka zgjidhur shumë mosmarrëveshje midis presidentit dhe kongresit si dhe midis qeverisë federale dhe qeverive shtetrore. Në vitin 1973, Gjykata e Lartë mori vendimin e saj të famshëm duke ligjësuar abortin, shembull ky se si vendimet e saj prekin jetën e amerikanëve individë. Gjatë viteve të fundit, Gjykata e Lartë ka debatuar shpesh rreth pushtetit të qeverisë federale për të rregulluar segmente të ndryshme të sektorit privat.

Allan Lichtman është historian në Universitetin Amerikan këtu në Washington. “Emërimi në Gjykatën e Lartë mund të ndikojë mbi të drejtat e abortit, por kjo shkon shumë më larg. Ndikim mund të ketë për çështje që lidhen me ndarjen e kishës nga shteti, interpretimi i ligjeve të mjedisit, intepretimi i ligjeve të ndryshme. Të gjitha këto gjëra janë me të vërtetë në rrezik kur flitet për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilët shërbejnë për jetë,” thotë historiani Lichtman.

Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga presidenti dhe duhet të konfirmohen nga senati. Demokratët e opozitës, si senatori Ted Kennedy nga shteti Masaçusets, thonë se seancat për konfirmimin e gjykatësit John Roberts duhet t’u japin amerikanëve një farë ideje rreth filozofisë së tij juridike. “Mezi pres që të zhvillohen seancat e konfirmimit dhe amerikanët duhet t’i kushtojnë vemendje të madhe atyre. Gjykatësi Roberts do të ketë një ndikim shumë të madh tek jeta e amerikanëve,” u shpreh senatori Kenedy.

Gjykata e Lartë ndryshon nga dy degët e tjera të qeverisë amerikane, sepse anëtarët e saj shërbejnë aty për jetë dhe nuk zgjidhen ose largohen nga detyra si rezultat i votës që japin zgjedhësit ashtu siç ndodh me presidentin dhe anëtarët e kongresit. Por shpesh Gjykata e Lartë pasqyron ndarjet partiake që ekzistojnë në vend.

Gjatë viteve të fundit, Gykata e Lartë ka marrë vendime me 5 vota në favor dhe katër kundër për një numër të rëndësishëm çështjesh si dënimi me vdekje, të drejta e kriminelëve dhe zbatueshmëria e ligjit në bazë të të cilit gratë dhe pakicat favorizohen në marrje në punë.

Jonathan Turley është ekspert i ligjit kushtetutor në fakultetin juridik të universitetit George Washington. “Problemi qëndron në faktin se vendi ynë është i ndarë në mes siç u pa në zgjedhjet e kaluara presidenciale. Presidenti Bush u ri-zgjodh me një ndryshim të vogël votash megjithë që vendi ishte në luftë. Kur ekziston një mjedis i tillë politik, është e pashmangshme se betejat për anëtarët e Gjykatës së Lartë do të jenë të vështira. Për ironi, vetë Gjykata e Lartë e pasqyron fare mirë gjendjen e vendit, anëtarët e saj janë të ndarë gati 50 me 50 përqind,” thotë eksperti Turley.

Në se konfirmohet nga senati, gjykatësi Roberts do të zëvëndësojë gjykatësen Sandra Day O’Connor, e cila shpesh ka pasur një votë të rëndësishme në gjykatën e ndarë.

XS
SM
MD
LG