Lidhje

Administrata e Presidentit Bush thotë se është ende herët të thuhet nëse shpërthimet në Sharm-el-Sheik në Detin e Kuq kishin lidhje me ato në Londër


Oficerë të sigurimit egjiptian kryen bastisje dhe ndaluan dhjetëra të dyshuar të mundshëm në Sharm el-Sheik. Pasi vizitoi skenën e ngjarjes, Presidenti Hosni Mubarak tha se sulmet nuk bëjnë tjetër gjë veçse e shtojnë vendosmërinë e Egjiptit për të mposhtur terrorizmin.

Krahasuar vetëm me pak ditë më parë, Sharm el-Sheiku ka ndryshuar krejtësisht, pasi shumë nga turistët po largohen, ndërsa në qytet kanë vërshuar zyrtarë të sigurimit. Në xhirimet që vijnë nga qyteti shihen restorante dhe dyqane të boshatisur.

Një pronar dyqani tha se përveç viktimave që shkaktoi sulmi, ai i kushtoi qytetit edhe dëm të lartë financiar, pasi turizmi është një burim i rëndësishëm të ardhurash për Sharm el-Sheikun. “Jeta në Egjipt është e vështirë tani. Unë vij në punë këtu për të siguruar të ardhura të mira, por nuk e besoj dot se ç’ka ndodhur. Ky është një problem i madh”, thotë një pronar shitoreje. Një pronar tjetër e tha haptazi se biznesi ka marrë fund.

Disa analistë të sigurimit dhe terrorizmit kanë spekuluar se sulmi në Egjipt mund të ketë lidhje me shpërthimet e fundit në transportin urban të Londrës. Por në komentet që bëri në një intervistë sot për programin Face the Nation të rrjetit televiziv CBS, Prokurori i Përgjithshëm, Alberto Gonzales, theksoi se nuk duhet të nxirren përfundime të parakohshme: ”Pa diskutim që po i shqyrtojmë me kujdes zhvillimet në Londër dhe Egjipt dhe po bashkëpunojmë me autoritetet britanike dhe egjiptiane për të ofruar ndihmën tonë në hetime. Por është ende herët për të thënë nëse këto ishin sulme të bashkërenduara. Por mund të them se si rezultat i veprimeve të ushtrisë sonë dhe të aleatëve tanë, si rrjedhojë e masave që kemi marrë brenda vendit, ia kemi bërë shumë më të vështirë al Kaidës të veprojë ose të jetë kërcënim për territorin amerikan”.

Por senatori republikan nga Arizona, Xhon Mekein, tha se mendon që terroristët do të përpiqen të kryejnë sulme të tjera terroriste në Shtetet e Bashkuara.

Në një intervistë për programin ‘This Week’ të rrjetit televiziv ABC, senatori Mekein tha se sulmet e fundit në Londër dhe Egjipt tregojnë se lufta kundër terrorizmit duhet të zhvillohet me fuqi dhe në veçanti angazhimi i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak duhet të përfundojë me sukses: “Dua të theksoj idenë se duhet të shkosh atje ku janë terroristët, prandaj ka shumë rëndësi që të mos dështojmë në Irak. Ka njerëz që argumentojnë se gjatë regjimit të Sadam Huseinit, Iraku nuk ishte strehë për terroristët. Por nëse ne dështojmë tani në Irak, nuk ka asnjë dyshim se kush do të merrte kontrollin në vend”.

Senatori Mekein shtoi se Pakistanit duhet t’i bëhet presion që të ushtrojë kontroll mbi elementët ekstremistë islamikë që mund të kenë ndikuar tek autorët e sulmeve në Londër. Por ai paralajmëroi se nuk duhet bërë ndonjë veprim që do të dëmtonte presidentin e Pakistanit, Pervez Musharraf, duke shtuar se pasuesit e tij mund të anojnë nga fondamentalizmi dhe ekstremizmi islamik. //az//

XS
SM
MD
LG