Lidhje

Uashingtoni arrin marrëveshje me Shkupin për truallin e ambasadës së re amerikane


Shtetet e Bashkuara arritën marrëveshje me Maqedoninë për të blerë truallin ku dëshironin që të ndërtojnë ambasadën e tyre të re në Shkup. Shoqata e parti maqedonase për muaj të tërë e kundërshtonin planin, pasi që, sipas tyre, vendi ishte me vlera arkeologjike dhe nuk duhej ndërtuar aty. Objekti i ri pritet të jetë tërheqës dhe të zbukurojë qytetin e Shkupit.

Marrëveshja midis Shteteve të Bashkuara dhe Maqedonisë për tokën ku do të ndërtohet ambasada e re amerikane paraqet një rëndësi të veçantë me që asaj i kanë paraprirë reagime të shumta nga shoqata dhe parti maqedonase të cilat shprehnin pakënaqësi të shumta.

Vendi ku do të ngritet ambasada është pranë kalasë së qytetit të Shkupit, dhe kjo i shtynte organizatat dhe shoqatat maqedonase të mendojnë se ai është me vlera arkeologjike. Sipërfaqja e këtij trualli është mbi dyzet e katër mijë metra katrorë, ndërkohë që ajo iu shit qeverisë amerikane për dy milonë euro e gjysmë.

Objekti i ri do të fillojë të ndërtohet në pranverë të vitit të ardhshëm dhe pritet të jetë gati brenda dy vjetësh të tjerë. Marrëveshjen e nënshruan ushtruesi i detyrës së ambasadorit të SHBA Paul Volers dhe Ministri i Transportit dhe Lidhjeve në qeverinë e Maqedonisë, Xhemali Mehazi. Ky i fundit e quajti aktin një ditë të madhe për Maqedoninë sepse do të ndërtohet një objekt i bukur në një nga vendet më të bukura të kryeqytetit.

Ministri Mehazi tha se SHBA janë mik i Maqedonisë dhe se kanë mbështetur Maqedoninë që nga pavarësia e saj. Ushtruesi i detyrës ambasador i Shteteve të Bashkuara në Maqedoni, Volers tha ndërkohë se marrëveshja është rezultat i përkushtimit të Maqedonisë dhe SHBA dhe bashkëpunimit të tyre, i cili në të ardhmen pritet të thellohet edhe më shumë. Zoti Volers tha se ambasada e re do të jetë një objekt shumë tërheqës, i dizajnuar në stil modern dhe se do ta zbukurojë Shkupin dhe Maqedoninë. Ai vlerëson se ambasada e re do të ketë ndikim ekonomik në zonën ku do të ndërtohet.

Vendi më parë është analizuar nëse vëretetë ka vlera arkeologjike; por përveç varreve të vjetra, mbase të shqiptarëve dhe turqëve, asgjë tjetër nuk është gjetur. Vendi ndodhet buzë lumit Vardar, në anën e majtë të rrjedhës së tij dhe kjo do të jetë ambasada e tretë pas ambasadave shqiptare dhe turke në këtë anë të qytetit.

XS
SM
MD
LG