Lidhje

Policia britanike identifikon dy të dyshuar për shpërthimet e së enjtes


Policia në Londër lëshoi emrat e dy personave që dyshohen për shpërthimet e dështuara të javës së kaluar në sistemin e transportit publik të qytetit. Policia po ashtu bëri dy arrestime të reja, duke e çuar në 5 numrin e atyre që po merren në pyetje. Por autoritetet thonë se të ndaluarit nuk mendohet të jenë personat që tentuan të kryenin shpërthimet.

Policia thotë se dy personat e arrestuar së fundi janë 24 vjeçari Yasin Hassan Omar dhe 27 vjeçari Muktar Said Ibrahim. Ata janë mes 4 të dyshuarve të kërkuar nga policia lidhur me përpjekjen për të kryer 3 shpërthimet në sistemin e metrosë dhe një të katërt, në një autobuz.

Policia po ashtu konfirmoi se një mjet i pestë shpërthyes, i ngjashëm me bombat që nuk arritën të aktivizoheshin, u gjet në një park të Londrës të shtunën. Ndërsa përpjekjet për gjetjen e autorëve janë intensifikuar, policia po heton për të parë në se ata kanë lidhje me 4 shtetasit britanikë me origjinë pakistaneze, që kryen sulmet vetëvrasëse të 7 korrikut duke shkaktuar 52 viktima.

Shefi i departamentit anti-terrorist të policisë së Londrës, Pitër Klark, i kërkoi ndihmë publikut për gjetjen e autorëve, duke theksuar se personat në fjalë janë të rrezikshëm. “Do t’i bëja thirje çdo njeriu, që ka informacion rreth vend-ndodhjes së tyre, që të telefonojë policinë. Publiku duhet t’u qëndrojë atyre larg.”

Në një zhvillim tjetër, Kryeministri Britanik Tony Bler, kërkoi ndjesë për vrasjen nga policia të një shtetasi brazilian të premten, për të cilin autoritetet thanë se dyshonin se ishte një prej autorëve të sulmeve vetë-vrasëse. “Të gjithëve na vjen shumë keq që një person i pafajshëm u vra dhe i kuptoj ndjenjat e familjes së viktimës. Por ne po ashtu duhet të kuptojmë se policia po kryen detyrën e saj në rrethana shumë, shumë të rrezikshme”.

Njoftimi se policia ka autoritet të hapë zjarr e të vrasë ata që mendohet se mund të jenë duke kryer sulme vetë-vrasëse, për t’u vetë-mbrojtur ose për të mbrojtur publikun, ka shkaktuar polemika. Disa drejtues të komunitetit mysliman në Britani thonë se e kuptojnë se përse policia kërkon kompetenca shtesë, ndërsa disa të tjerë thonë se të rinjtë myslimanë mund të bëhen objekt i policisë, në se veprimet e tyre ngjallin dyshime.

Kryeminisitri britanik foli rreth kësaj pas takimit që pati sot me homologun francez Dominik dë Villpë, rreth bashkëpunimit të të dy vendeve në luftën kundër terrorizmit. Ata njoftuan disa masa, ndër të ccilat shkëmbimi i informacionit mbi individët që ushqejnë ekstremizmin, ruajtja e të dhënave të sektorit të telekomunikacionit, shkëmbimi i informacionit për të mbrojtur metrotë dhe objektet e tjera, që mund të goditen lehtësisht, si dhe shtimi i bashkëpunimit për të luftuar radikalizimin e të rinjve myslimanë në vendet e tyre.

XS
SM
MD
LG