Lidhje

E ardhmja e lëvizjes sindikale amerikane në pikëpyetje


E ardhmja e lëvizjes sindikale në Shtetet e Bashkuara është vënë në pikëpyetje pasi dy prej degëve më të mëdha të federatës AFL-CIO vendosën të shkëputen prej saj. Ky vendim konsiderohet si një goditje e rëndë për federatën sindikale, që përfshin brenda saj 56 sindikata me 13 milionë punëtorë.

Dy degët, Sindikata e Shoferëve dhe Bashkimi Ndërkombëtar i Punonjësve të Shërbimit, që përfaqësojnë 3 milionë punëtorë, u shkëputën nga federata AFL-CIO. Mosmarrëveshja ka të bëjë me pakësimin e ndjeshëm të numrit të anëtarëve.

Presidenti i sindikatës së shoferëve Jim Hoffa, tha se shkëputja është një protestë ndaj drejtuesve të sindikatës dhe mund të pasohet nga shkëputje të tjera. “AFL-CIO duket se nuk ka ç’të bëjë më. Çdo vit po humbet anëtarë. A na duhen edhe 5 vjet të tjera kështu? Plani i tyre nuk funksionoi. Lëvizja sindikaliste duhet rindërtuar.”

Sindikata e Punonjësve të Sektorit Ushqimor, ajo e rrjetit të hoteleve dhe restoranteve dhe ajo e industrisë tekstile, pritet të bëjnë tani të ditur qëndrimin e tyre.

Këto sindikata, pjesë e një fraksioni tjetër, i akuzojnë drejtuesit e federatës së sindikatave se po shpenzojnë fonde të shumta për politikë dhe jo aq për organizim të radhëve. Zëdhënësja Anna Burger thotë se synimi i fraksionit nuk është përçarja por përmirësimi i të drejtave të punëtorëve. “Ne duam që AFL-CIO të ketë sukses në synimet e veta. Ne jemi dakort me ta përsa u përket të drejtave të punëtorëve, por kemi mosmarrëveshje për rrugën për t’i siguruar ato.”

Së bashku, katër sindikatat përfaqësojnë një-të-tretën e 13 milionë anëtarëve të federatës AFL-CIO. Profesori i Universitetit George Washington Charles Carver thotë se shkëputja e sindikatave është ndarja më e madhe në lëvizjen sindikaliste që nga viti 1938, kur CIO, ose Kongresi i Organizatave Industriale, u shkëput nga AFL, ose Federata Amerikane e Punës. “Lëvizja sindikaliste ose duhet ta fillojë nga e para si në vitet ’30 ose do të vazhdojë të dobësohet derisa t’i shuhet zëri në shoqërinë tonë.”

Shkëputja e fundit u kritikua ashpër nga presidenti i federatës John Sweeney, i cili e quajti vendimin një fyerje të rëndë dhe një tragjedi për gjithë punëtorët. “Jo vetëm pse solidariteti është burimi i fuqisë sonë, por edhe pse ndarja do të verë në rrezik betejën për të drejtat e punëtorëve.” Por vëzhguesit thonë se lëvizja sindikaliste ka vite që po dobësohet.

Globalizimi, teknologjia e re dhe tranzicioni nga një ekonomi e bazuar tek industria, kanë detyruar qindra mijëra punëtorë të organizuar në sindikata që të humbasin vendet e punës. Sektorë të rinj industrialë dhe firma gjigande si Wall-Marti ia kanë dalë me sukses që t’i mbajnë punëtorët e tyre jashtë sindikatave.

Kur AFL u bashkua me CIO, 50 vjet më parë, anëtarësia në sindikata ishte në kulmin e saj dhe një në çdo tre punëtorë të sektorit privat ishte anëtar sindikate. Sot vetëm 8 përqind e punëtorëve të sektorit privat janë në sindikatë.

Ekonomisti Jared Bernstein i Institutit të Politikave Ekonomike në Uashington thotë se dobësimi i sindikatave ka filluar të ndihet në vendin e punës. “Nuk është rastësi që gjatë kohës që sindikatat janë dobësuar, pabarazia ekonomike është thelluar.”

Me rënien e anëtarësisë, u dobësua edhe siguria e vendeve të punës. Sindikatat e humbën ndikimin, disa pensione u zhdukën, dhe kostoja e shërbimit shëndetësor u rrrit ndjeshëm. Disa analistë besojnë se çelësi i mbijetesës së sindikatave është të tërheqin në radhët e tyre punonjës profesionistë. “Uroj që ata do t’u kthehen fillimeve të tyre dhe do të formojnë organizata të reja duke përdorur teknika të reja për të tërhequr ata punëtorë që nuk duan të quhen sindikalistë, pasi kjo nënkupton klasë punëtore, që në vendin tonë do të thotë klasa më e ulët. Këta njerëz duhen tërhequr si profesionistë dhe jo si sindidkalistë tradicionalë.”

Disa ekspertë thonë se ndarja e tanishme mund ta rigjallërojë lëvizjen sindikale, por të tjerë thonë se ndarja ndodhi në momentin më të keq. Udhëheqësit e federatës sindikale janë të shqetësuar se përçarja do ta dobësojë më tej politikisht lëvizjen e tyre dhe do të dëmtojë më tej punëtorët që kanë nevojë për bashkim në betejën me interesat e biznesit dhe konkurencën globale.

XS
SM
MD
LG