Lidhje

Policia shqiptare zbulon 21 kg lëndë shpërthyese në Malin e Kuklit


Operacioni i sotëm i policisë shqiptare është pjesë e masave më të fundit që po merren për parandalimin e akteve terroriste në Shqipëri.

Me mbështetjen edhe të helikopterëve të Ministrisë shqiptare të rendit, forca të shumta të Drejtorisë së policisë së Qarkut të Shkodrës si dhe ekspertë të antiterrorit kryen sot një operacion të gjërë policor në një zonë malore, rreth 20 kilometër nga qyteti i Shkodrës.

Gjatë këtij operacioni, policia kontrolloi nga toka dhe nga ajri, në përpjekje për të zbuluar sasi të mëdha armatimi dhe municioni luftarak. Pas disa orë kërkimi, ata arritën të zbulojnë në tre shpella te Malit te Kuklit, 21 kilogram lëndë shpërthyese të tipit tritol.

Gjithashtu, u zbuluan edhe 2 mina antitank, 300 granata difensive, 3 mitralozë si dhe më shumë se 10 mije fishekë. Armatimi dhe municioni i sekuestruar sot nga policia është më i madhi i zbuluar gjatë 5 viteve të fundit. Shqetësimi i policisë është përqëndruar kryesisht në sasinë e madhe të lëndës shpërthyese, të fshehur në shpellat e Kuklit, në afërsi të qytetit të Shkodrës. Pas sekuestrimit të armatimit, policia arrestoi edhe një 38 vjeçar, pronar i zonës ku u zbuluan armët dhe municioni luftarak. Sipas policisë vendore, i arrestuari i sotëm është i biri i një shumë të kërkuari, i cili është vrarë në vitin 2001 gjatë një përpjekje me forcat e policisë.

Gjithashtu, burimet policore bënë të ditur se po kryhet ekspertimi i armëve të kapura për të zbuluar nëse ato janë përdorur për vepra kriminale. Ditët e fundit, policia shqiptare ka forcuar masat antiterror, veçanërisht në pikkalimet kufitare. Disa ditë më parë, gjatë një analize në Drejtorinë e policisë së Qarkut të Shkodrës, Drejtori i Përgjithshëm i policisë shqiptare, Bajram Ibraj, u shpreh se, për shkak të pjesëmarrjes në koalicionin ndërkombëtar antiterror, Shqipëria nuk është e përjashtuar nga aktet terroriste.

XS
SM
MD
LG