Lidhje

Anija amerikane e hapësirës Discovery ankorohet në Stacionin Ndërkombëtar orbital


Anija amerikane e hapësirës Discovery u ankorua në Stacionin Ndërkombëtar orbital, por ndoshta do të duhet të kalojë një farë kohe para se një vizitë e tillë në stacion të përsëritet. Agjencia e hapësirës, NASA po i pezullon fluturimet për shkak se gjatë lëshimit të Diskovery-t të martën, katër copa materiali izolues u shkëputën nga rezervuari i jashtëm i anijes. Kjo ka shkaktuar shqetësime se mos përsëritet i njëjti problem që shkaktoi shkatërrimin e anijes Columbia në vitin 2003. Por siç njofton korrespondenti ynë David McAlary, Nasa thotë se Discovery nuk duket të ketë pësuar ndonjë dëmtim.

Discovery iu afrua stacionit ndërkombëtar dhe u ankorua shumë ngadalë ndërkohë që inxhinjerët në tokë analizonin imazhet e anijes për të përcaktuar nëse coprat izoluese kishin shkaktuarf ndonjë dëm. Piloti i anijes Jim Kelly e konfirmoi ankorimin për kontrollorët e misionit në Houston.

Astronautët do të kalojnë 8 ditë me ekipazhin prej tre anëtarësh të stacionit dhe do të kryejnë ecje në hapësirë, do të bëjnë furnizimin e laboratorit orbital si dhe do të marrin me vete mbeturinat që janë grumbulluar në stacion që prej tre vjetësh.

Ka kaluar tashmë një kohë e gjatë që kur anija e fundit u ankorua në stacion. Pas kësaj fluturimet u pezulluan për shkak të shkatërrimit të anijes Kolumbia gjatë hyrjes në atmoferën e tokës. Tani, Nasa po i pezullon përsëri fluturimet deri sa të gjejë se përse materiali izolues vazhdon të kërcënojë anijen, megjithëse për korrigjimin e problemit janë shpenzuar dy vjet dhe 1,5 miliard dollarë. Pikërisht një copë materiali izolues hapi një të çarë në krahun e anijes Kolumbia gjatë lëshimit të saj, duke bërë që anija të shkatërrohej kur ajo po kthehej në tokë dhe duke shkaktuarf vdekjen e të 7 astronautëve.

Ekuipazhi i stacionit të hapësirës përdori kamera me telefoto për të marrë fotografi nga shumë afër të anijes kur ajo po afrohej për ankorim. Menazheri i operacioneve të anijeve për vajtje-ardhje në hapësirë, John Shannon thotë se fotografitë dhe analiza me rreze lazer do t’i lejojë teknikët të përcaktojnë nëse Discovery ka pësuar ndonjë dëm nga goditja e materialit izolues dhe nëse gropa e hapur në shtresën izoluese refraktare është aq e thellë sa të përbëjë kërcënim gjatë kthimit të anijes në atmosferën e tokës.


"Specialistët që merren me analizën e imazheve po i studiojnë të dhënat me shumë hollësi dhe raportet e para tregojnë se çdo gjë është fare në rregull, pra nuk kemi pse të shqetësohemi. Megjithatë, ne do të vazhdojmë procesin e analizës për të kuptuar me saktësi se si paraqitete gjendja".


Zoti Shannon thotë se materiali izolues që u shkëput gjatë nisjes së Discovery-t ishte shumë më i pakët në sasi se sa çdo herë tjetër si rrjedhojë e përmirësimeve që i janë bërë anijes gjatë dy viteve të fundit. Sipas tij, vendi nga ku është shkëputur copa më e madhe e materialit, më pak se gjysmë kilogrami, nuk ka qenë problem më parë.

Për shkak të tragjedisë së anijes Columbia, astronautët e Discovery-t do të kryejnë të shtunën një ecje në hapësirë për të praktikuar metodat e riparimit të dëmit në sipërfaqen e anijes. Ata pritet të kthehen në Tokë më 7 gusht.

XS
SM
MD
LG