Lidhje

Standardet për Kosovën: Zhvillimet e fundit dhe sfidat e të ardhmes


Ndërkohë që në Kosovë po u bëhet një shqyrtim i përgjithshëm standardeve, qeveria e saj ndodhet përballë pyetjeve rreth përparimit të bërë në zbatimin e tyre. Instituti Amerikan i Paqes zhvilloi dje një diskutim me temën “Standardet për Kosovën: Zhvillimet e fundit dhe sfidat e të ardhmes”, ku ishin të ftuar Lutfi Harizi, ministër i pushtetit lokal të qeverisë së Kosovës dhe Avni Arifi, koordinatori i qeverisë për standardet. Kolegia jonë Isabela Çoçoli ndoqi diskutimin dhe përgatiti këtë material.

A ka arritur rezultate të ndjeshme qeveria e Kosovës në zbatimin e standardeve? Cilat janë arsyet e ngadalësimit të procesit të decentralizimit? Çfarë sfidash ka përballë Kosova në të ardhmen? Cila është ecuria e dialogut mes shqiptarëve dhe sërbëve të Kosovës, dhe e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Këto janë disa nga pyetjet që u bëhen zyrtarëve të Kosovës në takime të tilla si ai i djeshmi në Institutin Amerikan të Paqes. Kosova është e vendosur të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe e strukturve të tjera ndërkombëtare, tha Avni Arifi, koordinatori qeverisë për standardet.

“Ne jemi të gatshëm dhe kemi hartuar tashmë plane strategjike, që transferojnë standardet në standarde evropiane dhe që përshkruajnë rrugën drejt Evropës. Kosova është e angazhuar për plotësimin e këtyre standardeve dhe standardeve të tjera në të ardhmen dhe ne besojmë se ajo do të jetë pjesë e Evropës së integruar”.

Ndërkohë, edhe i dërguari i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Kai Aide, është shprehur se ritmi i zbatimit të standardeve ka qënë i ngadalshëm. Në përgjigje të këtij vlerësimi, Lutfi Harizi, ministër i pushtetit lokal të qeverisë së Kosovës tha se mesa duket duhen bërë më shumë përpjekje në këtë drejtim.

“Lidhur me deklaratën e zotit Kai Aide, për të cilin unë kam shumë rspekt, do të thosha se meqë ai thotë se përparimi në Kosovë është i ngadalshëm ne duhet ta pranojmë se është i tillë dhe të punojmë më me këmbëngulje për ta ndryshuar ritmin”.

Por zoti Haziri theksoi se kësaj fryme nuk i shërben aspak strategjia e qeverisë së Beogradit, e cila u bëri dje thirrje sërbëve të bojkotojnë procesin e decentralizmit në Kosovë. Ky qendrim i Beogradit, tha Ministri Haziri, dëshmon edhe një herë se pala kosovare nuk ka të bëjë me një partner të besueshëm në procesin e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës.

Zoti Haziri theksoi se, nga ana e saj, qeveria e Kosovës nuk do të hezitojë aspak për të marrë të gjitha masat e mundëshme që të përmbushë detyrimet që i janë vënë nga komuniteti ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG