Lidhje

Lidhja Shqiptaro-Amerikane diskuton me ligjvënës në Kongres mbi çështjet që shqetësojnë shqiptarët në Ballkan


Një delegacion i Lidhjes Civile Shqiptaro-Amerikane ishte ditët e fundit në Uashington për t’u shprehur ligjvënësve shqetësimet mbi një sërë çështjesh që lidhen me shqiptarët në Ballkan. Ata shtruan sidomos problemet që kanë të bëjnë me statusin e shqiptarëve në Mal të Zi, që ata të kenë më shumë të drejta në zonat ku përbëjnë shumicë.

Një grup shqiptaro-amerikanësh erdhën në Kongres për t’u kërkuar ligjvënësve të ndërhyjnë në mbrojtje të drejtave që duhet të kenë shqiptarët në Mal të Zi.

Ministri i jashtëm i Malit të Zi Miodrag Vllahoviç, është shprehur më parë se pothuajse të gjitha problemet e shqiptarëve në Mal të Zi janë zgjidhur, por Lidhja Civile Shqiptaro-Amerikane, një grup lobist që drejtohet nga ish kongresmeni Joseph DioGuardi nuk mendon kështu. Zoti DioGuardi, që kryesonte delegacionin thotë se shqiptarëve në Mal të Zi duhet t’u jepet më shumë autonomi në zonat ku ata përbëjnë shumicë. Përndryshe, shpjegon ai, popullsia shqiptare do të ishte e rrezikuar.

“Disa mendojnë se nëse e lejojmë këtë të ndodhë, atëhere brenda 5 ose 10 vjetësh, në Mal të Zi nuk do të ketë më shqiptarë,” thotë zoti DioGuardi.

Delegacioni u takua me kongresmenin Tom Lantosh, i cili disa herë ka shprehur shqetësim për gjendjen e shqiptarëve në Mal të Zi. Zoti Lantosh i dërgoi në qershor një letër kryeministrit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, ku parashtron disa probleme që ai mendon se duhet të gjejnë zgjidhje. Këto janë kryesisht çështje të qeverisjes lokale në zonat ku shqiptarët përbëjnë shumicë, si Ulqini dhe Tuzi. Zoti Lantosh, premtoi se do të vazhdojë trysninë ndaj qeverisë malazeze.

Veçanërisht shqetësim është për shqiptarët gjendja e Tuzit, për të cilin ata kërkojnë që t’i kthehet statusi që ka patur dekada më parë si komunë me të drejta të plota.

Ata kërkojnë që Tuzi të jetë në gjendje të vendosë për çështjet e veta, sidomos për të patur kontroll mbi buxhetin dhe jo të lihet nën administrimin e Podgoricës, sipas një projektligji të ri që mund të shqyrtohet në parlament në muajin shtator. Marash Nucullaj nga Miçigani thotë se Tuzi nuk është një komunë e plotë, është vetëm një gjysmë komune sipas organizimit të tanishëm administrativ dhe kjo gjendje duhet të ndryshojë.

Ndërsa Lekë Gjocaj nga Nju Jorku thotë se shteti malazez duhet të kuptojë se shqiptarët kërkojnë vetëm paqe, por duan gjithashtu të drejtat e veta. Gjatë historiesë shpjegon ai, ka patur raste kur shqiptarët kanë djegur shtëpitë e tyre për të shpëtuar malazezët.

Shirley Cloyes-DioGuardi është një nga drejtueset e Lidhjes Shqiptaro-Amerikane me përvojë të gjatë në çështjet e Ballkanit.

“Ky është viti i tretë që Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane punon me zotin Lantosh për të bërë më në fund diçka rreth trajtimit të shqiptarëve në Mal të Zi, tokat shqiptare më të varfëra dhe me më shumë vështirësi. Projektligji i ri për Podgoricën do ta shkatërronte Malësinë,” thotë ajo.

Delegacioni i Lidhjes Shqiptaro-Amerikane i shtroi këto probleme edhe me dy ligjvënës të tjerë. Ileana Ros Lehtinen, nga Florida, është njëra nga ligjvënëset e cila ka shprehur përkrahje për zgjidhjen e shpejtë të statusit të Kosovës në favor të pavarësisë.

Dana Rohrabaker nga Kalifornia, dëgjoi gjithashtu kërkesat e delegacionit shqiptar dhe tha se do t’i shtronte këto probleme gjatë një vizite që mund të bëjë në Ballkan.

Ai shprehu gjithashtu shqetësim për gjendjen paszgjedhore në Shqipëri dhe tha se do t’i shkruajë një letër kryeministrit Fatos Nano që të pranojë humbjen në zgjedhjet e tre korrikut.

XS
SM
MD
LG