Lidhje

60 vjetori i përdorimit të bombave bërthamore në Nagasaki dhe Hiroshima


Këtë muaj, 60 vjet më parë, Shtetet e Bashkuara hodhën bombat atomike në qytetet japoneze të Hiroshimës më 6 gusht 1945 dhe Nagasaki më 9 gusht të vitit 1945. Shumë besojnë se vendimi për përdorimin e bombave i dha fund Luftës së Dytë Botërore, duke shpërtuar mijëra jetë amerikanësh dhe duke i detyruar japonezët të dorëzoheshin. Por disa historianë shtrojnë tani pyetjen – a ishte vërtetë i nevojshëm përdorimi i armëve aq shkatërrimtare mbi dy qytete aq shumë të populluara?

Në vitin 1945 kur lufta kishte përfshirë Paqësorin, presidenti amerikan Harry Truman po shqyrtonte mundësinë e pushtimit të Japonisë. "Parashikimet ishin se kjo do të ishte një betejë shumë e përgjakshme pasi japonezët po grumbullonin trupa, ata kishin miliona, vërtetë miliona trupa. Pra llogariteshin jetët e 500 mijë apo më tepër amerikanëve në se do të ndërmerrnin një sulm të tillë". Robert James Maddox është profesor historie në pension dhe autori i librit Armët për Fitore:Vendimi për Hiroshimën. Ai thotë se vendimi i Trumanit për të hedhur bombën atomike nuk ishte vënë asnjëherë në pikëpyetje. "Nuk kishte mëdyshje për përdorimin e bombës, siç u shpreh një zyrtari i asaj kohe, sesa kur do të ishte bomba gati".

Kur bomba atomike e përdorur për herë të parë në luftë shpërtheu mbi qytetin e Hiroshimës, 70 deri në 90 mijë njerëz u shkrumbuan në sekondë. Bomba e dytë shkatërroi edhe 40 deri në 60 mijë japonezë të tjerë, shumica civilë në Nagasaki.

Në vitet që pasuan dhjetra mijëra të tjerë vdiqën nga efektet e shpërthimeve. Japonia kapitulloi, ndoshta për arsye të presionit psikologjik të bombave. Lufta me Japoninë përfundoi dhe Shtetet e Bashkuara fituan.

Në atë kohë mendohej se mënjanimi i pushtimit të Japonisë u shpëtoi jetën mijëra amerikanëve. Por autorit Kai Bird që shkroi biografinë e Robert Oppenheimerit, një nga shpikësit e bombës, thotë se edhe vetë Oppenheimeri vuri në pikëpyetje moralitetin e vendimit për përdorimin e bombës. "Ai tha se kjo ishte armë terrori që ishte përdorur mbi një armik thuajse të humbur. Kjo ishte diçka e jashtëzakonshme që thuhej vetëm disa muaj pas përdorimit të bombës, nga njeriu që e shpiku atë".

Disa kritikë sot besojnë se Japonia ishte në prak të kapitullimit dhe se synimi i vërtetë i administratës Truman ishte të provonte fuqinë ushtarake të sapo krijuar. ... "kjo do të dërgonte mesazhin e duhur në periudhën e pas luftës se Amerika kishte këtë armë të fuqishme që presidenti i referohej si arma e fundit, që do të dërgonte një mesazh diplomatik tek sovjetikët".

Historianët më tradicionalë e debatojnë një analizë të tillë. "Një pjesë mendojnë se hedhja e bombës nuk ishte kapitulli i fundit i Luftës së Dytë Botërore por hapja e kapitullit të Luftës së Ftohtë, se ne hodhëm bombat edhe pse e dinim se Japonia ishte në prak të kapitullimit. Pra bombat i hodhëm për të impresionuar sovietikët. Kjo nuk ka kuptim".

Kjo është ende një temë e diskutueshme. Historianët ende vazhdojnë debatin rreth vendimit për hedhjen e bombës atomike 60 vjet më parë.

XS
SM
MD
LG