Lidhje

Serbët e Kroacisë përkutojnë 10 vjetorin e ofensivës kroate


Serbët e Kroacisë po përkujtojnë sot ata që u vranë ose që humbën jetën në ofensivën ushtarake kroate 10 vjet më parë, gjatë së cilës u vranë mëse 2 mijë e 500 persona që i përkisnin pakicës serbe. Qindra refugjatë serbë të Kroacisë zhvilluan sot ceremoni në Serbi dhe në Bosnje me rastin e këtij përvjetori. Ndërkohë, Presidenti pro-perëndimor i Serbisë, Boris Tadiç i bëri dje përsëri thirrje personit akuzuar për krime lufte në Bosnje, Ratko Mlladiç, për t’u dorëzuar.

Presidenti pro-perëndimor i Serbisë, Boris Tadiç i bëri dje një thirrje të re Ratko Mlladiçit për t’u dorëzuar, duke thënë se ish gjenerali i serbëve të Bosnjes po i vonon aspiratat e Serbisë për t’u integruar në Evropë. Zoti Tadiç tha se Mlladiçi dhe persona të tjerë të akuzuar për krime lufte duhet të dalin në Hagë përpara drejtësisë në mënyrë që serbët dhe vende të tjera të Ballkanit të mund ta lenë pas të kaluarën. "Nëse Ratko Mlladiçi nuk i dorëzohet Gjykatës së Hagës ose Serbia nuk tregon prova të mjaftueshme se Mlladiçi nuk ndodhet në Serbi, atëhete vendi do të ketë probleme serioze lidhur me integrimin në Bashkimin Evropian. Prandaj Serbisë i duhet të punojë çdo ditë për zgjidhjen e këtij problemi. Mlladiçi duhet të arrestohet ose të bindet për t’u dorëzuarf kudo që të ndodhet", tha presidenti Tadiç.

Zoti Tadiç tha se ish komandanti i serbëve të Bosnjes mbetet një ndër pengesat kryesore për Serbinë. Gjykata e Hagës ka ngritur akuza për gjenocid dhe krime të tjera ndaj Mlladiçit dhe ish udhëheqësit politik të serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç. Këto krime përfshijnë masakrimin në vitin 1995 të 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë të Bosnjes. Mendohet se Karaxhiçi fshihet diku në pjesën e Bosnjes të kontrolluar nga serbët ndërsa Mlladiçi besohet se ndodhet diku në Serbi.

Kohët e fundit, autoritetet serbe kanë pretenduar se operacionet e përsëritura për kërkimin e tij nuk kanë patur sukses. Bashkimi Evropian e ka bërë ekstradimin e Mlladiçit në Hagë kusht që Serbia të mund të fillojë në muajin tetor negociatat për ta afruar vendin më tepër drejt anëtarësimit. Zoti Tadiç vlerësoi pozitivisht një thirrje që javën e kaluar, gruaja e Karaxhiçit i bëri burrit të saj për t’u dorëzuar.

Zoti Tadiç u zgjodh president në vitin 2004 dhe ndonëse posti i tij është më tepër ceremonial, për shumë njerëz ai përfaqëson imazhin e Serbisë jashtë vendit.

Duke folur në prag të 10-vjetorit të offensivës kroate të gushtit 1995 për marrjen e territoreve serbe, zoti Tadiç i bëri thirrje gjithashtu Kroacisë të pranojë krimet e kryera kundër serbëve në atë kohë. "Pres nga Presidenti kroat që ata të dënojnë krimet në Krajinë. Pres gjithashtu nga politikaqnët serbë që ata të dënojnë të gjitha krimet. Unë si president do t’i dënoj gjithmonë krimet që kanë bërë disa serbë."

Qindra refugjatë serbë nga Kroacia u mblodhën sot për të vendosur trendafila në ambasadën kroate në Beograd me rastin e 10 vjetorit të ofensivës. Ofensiva kishte për qëllim rimarrjen e territoreve që mbaheshin nga pakica etnike serbe, e cila në vitin 1991, me mbështetjen e fortë të Beogradit, rrëmbeu armët për të kundërshtuar shkëputjen e Zagrebit nga ish Jugosllavia.

Serbia thotë se rreth 200 mijë serbë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre, shumica në rajonin e Krajinës, dhe se 2 mijë të tjerë u vranë gjatë ofensivës kroate, shifra që Kroacia i ve në pikëpyetje. Kroacia thotë se ofensiva e vitit 1995 ishte një operacion ushtarak legjitim për rimarrjen e tokave të pushtuara dhe se krimet e kryera nuk përbënin një fushatë të organizuar.

XS
SM
MD
LG