Lidhje

SHBA: Mbrojtja e kufijve- ndër elementët kryesorë të mbrojtjes nga sulmet terroriste


Që pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, mbrojtja e kufijve dhe hapësirës ajrore të vendit është bërë një nga elementët kryesorë të mbrojtjes kundër kërcënimeve të ardhme terroriste. Një nga zonat me më shumë qarkullim është përgjatë kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë me një gjatësi 6 mijë e 500 kilometrash.

Nga ajri, piloti i helikopterit të mbrojtjes së kufirit, Darrell Feller, e ndjek me vëmendje terrenin dhe hapësirën ajrore përreth kufirit pothuajse të padallueshëm ndërkombëtar që ndan Columbian Britanike të Kanadasë dhe shtetin amerikan perëndimor të Washingtonit. Kjo është një zonë që përdoret shpesh për operacione kontrabande në ajër, ujë dhe në tokë.

Përmasat e mëdha të rajonit e bëjnë atë lehtësisht të depërtueshme, pavarësisht nga barrierat natyrore, siç janë zonat e ashpra malore. Një nga detyrat kryesore të Darrellit është që të ketë kujdes të shikojë për mjete ajrore të dyshimta që mund të përdorin terrenin malor për t’u fshehur, për të kaluar armë kontrabandë, drogë dhe ndoshta edhe terroristë në Shtetet e Bashkuara. “Ajo që vëmë re kur arrijmë në këto male, është se mjeti ajror mund të vijë nga Kanadaja duke fluturuar ulët dhe t’i fshihet radarit dhe sapo të arrijnë në luginën e Columbias, mund të vazhdojnë nga Jugu në Shtetet e Bashkuara dhe të përpiqen të bëhen pjesë në trafikun e zakonshëm ajror,” thotë piloti.

Patrulla ajrore e Darrellit në shtetin e Washingtonit është njëra prej pesë të tillave të krijuara nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, pas sulmeve të 11 shtatorit. Ata bëjnë pjesë në një fushatë për mbrojtjen e kufijve që përdor skuadra ajrore, detare dhe tokësore.

Jo larg nga patrullat e Darrellit, një ekuipazh prej tre pilotësh të doganave amerikane, patrullojnë ujrat që ndajnë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë. Ata përdorin një aeroplan të posaçëm me dy motorë, me kompjuter të sofistikuar dhe një videokamera të fuqishme. Këta aeroplanë janë praktikisht të padiktueshëm gjatë fluturimit në lartësinë 5 mijë metra, duke siguruar kështu informacion të menjëhershëm për njësitë ujore dhe tokësore për vargun e ishujve San Juan në shtetin e Washingtonit, pranë Victorias në Kanada.

35 vjeçari Mike Corcoran përdor një kamera me të cilin mund të shihen nga afër barka dhe lëvizje të dyshimta në ujë dhe në ajër. Ai thotë se pavarësisht nga teknologjia, është e vështirë që t’u paraprish veprimeve të kriminelëve. “Ishujt e San Juanit janë një labirinth. Kur i shikon nga lart e kupton se ka një milion vende ku mund të fshihesh dhe ata që ruajnë ujin me barka dhe ne nga ajri po përpiqemi ta mbajmë të sigurt këtë zonë. Është e vështirë,” thotë Mike.

Nëse njësitë shohin diçka të pazakontë në ajër, ato mund të njoftojnë me radio oficerët e patrullave ajrore si Jim Warfield që të ndalojnë dhe kontrollojnë barkën. “Nëse i shohim të vijnë nga Kanadaja, bëjmë një kontroll në barkë se mos gjejmë froga kontrabandë, armë të shkatërrimit në masë dhe lloje të tjera armësh,” thotë zoti Warfield.

Agjentët e doganave amerikane dhe mbrojtjes së kufirit thonë se që pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, ata po punojnë më mirë për mbrojtjen e kufirit verior të vendit nga rreziqet terroriste. Ata shpresojnë gjithashtu se shtimi i kapacitetit njerëzor, paisjet e reja dhe përmirësimi i bashkëpunimit me oficerët kanadezë të ruajtjes së rendit do të vazhdojë të ulë krimin në një rajon ku kriminelët prej kohësh drejtonin rrjete efektive kontrabande.

XS
SM
MD
LG