Lidhje

Irak: 5 të vrarë nga një sulm vetëvrasës në qytetin Tikrit


Një person kreu një sulm vetëvrasës në qytetin Tikrit të Irakut duke aktivizuar sot kamjonin e tij me eksploziv përpara një stacioni policie. Nga sulmi u vranë të paktën 5 vetë dhe mbi 10 të tjerë u plagosën.

Në Bagdat, të paktën 5 irakianë, mes tyre ushtarë dhe punonjës të qeverisë, u vranë nga të shtënat prej makinave që kalonin aty. Në jug të vendit, dëshmitarët në qytetin Samawah thanë se qindra banorë, që protestonin shërbimin e dobët publik, u përleshën me policinë. Të paktën një person humbi jetën dhe mbi 40 të tjerë u plagosën.

Këto akte dhune përkojnë me përgatitjet e udhëheqësve politikë irakianë për të diskutuar sot mbi mënyrat që të kapërcehet një ngecje lidhur me projekt-kushtetutën e re. Ndërsa kanë mbetur vetëm 8 ditë nga afati i përfundimit të këtij dokumenti, delegatët shiitë, sunni dhe kurdë vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje të thella për sa i përket çështjeve kyçe, përfshirë rolin e fesë dhe një përshkrim të identitetit kombëtar në Irakun e pas luftës.

Ushtria amerikane thotë se trupa irakiane dhe amerikane sprapsën një seri sulmesh të bashkërenduara në Bagdat, duke vrarë 6 kryengritës. Zyrtarët thanë dje se helikopterë ushtarakë amerikanë u përgjigjën ndaj sulmeve, të cilat përfshinin shpërthime vetëvrasëse me makina bombë, një nga të cilat shkaktoi vdekjen e një ushtari irakian.

Në një incident tjetër, trupat amerikane kapën 7 persona të dyshuar si kryengritës dhe një makinë bombë që po përgatitej për një sulm. Zyrtarët thonë se shumë nga bombat e përdorura në sulmet e kohëve të fundit kanë ardhur nga Irani, megjithëse nuk ka prova se qeveria e Teheranit është burimi i tyre.

Ndërkohë, gazeta Nju Jork Tajms njofton në numrin e saj të sotëm se kryekomandanti i forcave amerikane në Lindjen e Mesme ka hartuar planet për pakësimin shkallë-shkallë të trupave amerikane në Irak me 20 deri në 30 mijë vetë gjatë vitit të ardhshëm. Gjenerali kryesor amerikan në Irak, George Casey, bëri thirrje muajin e kaluar për një plan të ngjashëm për pakësimin e forcave.

XS
SM
MD
LG