Lidhje

Anija e hapësirës Diskavëri kthehet me sukses në Tokë


Për të dytën ditë, kontrollorët e fluturimit nuk e lejuan Discovery-n të ulej në Florida për shkak të stuhive. Ata e urdhëruan anijen të ulej në Bazën e Forcës Ajrore Edwards në shkretëtirën e Kalifornisë në anën tjetër të vendit.

Ndërkohë që kujtimet e aksidentit të anijes Columbia janë ende të freskëta, pjesëtarët e misionit të kontrollit, krejt të çliruar nga ankthi, u uruan mirëseardhjen komandantes së anijes, Eileen Collins, dhe ekuipazhit të saj pas qendrimit prej dy javësh në orbitë.

“Urime për këtë provë me të vërtetë spektakolare fluturimi! Mirëserdhët miq!”

“Ju faleminderit! Jemi të lumtur që kthehemi dhe përgëzojmë të gjithë ekipin për punën e bërë”, tha Eileen Collins.

Menaxheri i programit të udhëtimeve për në stacionin orbital, Bill Parsons, thotë se kthimi i Discovery-t është nderim për astronautët e Columbias.

“Sot ne nderuam ekuipazhin e Columbias. E kthyem Discovery-n shëndoshë e mirë. Është një ditë e madhe. Ndjehem tepër i lumtur”.

Misioni i Discovery-t do të jetë i fundit për një periudhë të pacaktuar. Agjencia Amerikane e Hapësirës, NASA, mori përsëri vendim për pezullimin e fluturimeve derisa të zbulojë se përse një pjesë e lëndës së jashtme izoluese u shkëput nga serbatori i jashtëm gjatë lëshimit të Discovery-t.

Ishte i njëjti lloj problemi që dëmtoi krahun e Columbias duke paracaktuar kështu hyrjen tragjike të anijes në atmosferë dhe shkaktuar vdekjen e të gjithë astronautëve në bord.

Ndryshe nga Columbia, Discovery i shpëtoi dëmtimeve serioze nga nga copërat e shkëputura gjatë lëshimit, por një numër i paparë kamerash dhe teknike inspektuese që u instaluan në anije gjatë qendrimit në hapësirë për shkak të aksidentit të Columbias, treguan për dëme të vogla të disa pllakave mbrojtëse - pjesë e një mbështjelljeje izoluese termale.

NASA përcaktoi se këto do të rrezikonin anijen gjatë hyrjes në atmosferë, por nxori një astronaut në hapësirë për të hequr dy copa të imëta, të dala nga lënda izoluese ndërmjet pllakave. Inxhinierët druheshin se këto copa mund ta shtonin fërkimin me ajrin dhe të rrisnin temperaturën e jashtme.

Përkundër këtyre problemeve, Bill Parsons, e quan misionin e Discovery-t sukses, jo vetëm se furnizoi dhe kreu operacione mirëmbajtjeje në stacionin hapësinor, por gjithashtu sepse u dha inxhinierëve rezultatet e para mbi sigurinë që pas fatkeqësisë së Columbias.

“Gjithmonë e kemi ditur se ky ishte një fluturim-provë që do ta siguronte mjaft informacione. Mësuam mjaft gjëra dhe ne duhet të punojmë më tej dhe kështu do të veprojmë”.

Brenda një jave, Discovery do të kthehet në vendin nga ku u lëshua, në Florida, në kurrizin e një avioni gjigand.

XS
SM
MD
LG