Një algjerian i dyshuar si terrorist, Ahmed Resam, u dënua në Shtetet e Bashkuara me 22 vjet burg se kishte në plan të kryente një shpërthim në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Angelosit në dhjetor të vitit 1999. I dyshuari u kap nga agjentët amerikanë të doganave, kur po orvatej të hynte nga Kanadaja në Shtetet e Bashkuara. Masat e sigurimit janë shtuar në kufirin verior me shpresën e pengimit të hyrjes së krimit të organizuar dhe terroristëve të mundshëm në Shtetet e Bashkuara.
Agjenti i forcës për Mbrojtjen e Kufirit Bon Kohlmanit po fillon një patrullim tjetër në rrugën që ndan provincën Kolumbia Britanike e Kanadasë dhe shtetin perëndimor amerikan të Washingtonit. Ky është një territor i hapur dhe një prej zonave më aktive të kontrabandës përmes kufirit. Ai përbën vetëm një segment të vogël të këtij kufiri të pambrojtur, më i gjati në botë.
Detyra kryesore e Bon Kohlmanit është të vëzhgojë për terroristë që mund të përpiqen të fusin armë vdekjeprurëse nga Kanadaja. Por të mbrosh dhe të kontrollosh kufirin verior prej 6 mijë e 500 kilometrash të Amerikës tani në epokën e re të terrorizmit është detyrë tepër e vështirë. “Të mbrosh këta kufij është mjaft e vështirë. Po bëjmë sa mundemi me burimet që kemi tani për tani. Kemi mjaft agjentë të përkushtuar në detyra të ndryshme, por të gjithë me një mision dhe objektiv në kokë: mbrojtja e Shteteve të Bashkuara,” thotë zoti Kohlman.
Sulmet terroriste të 11 shtatorit ndryshuan shumë gjëra në punën e agjentëve të patrullimit si Bob Kohlman, misioni kryesor i të cilit ishte pengimi i imigracionit të paligjshëm dhe kapja e kontrabandistëve të drogës. Tani përparësia kryesore është pengimi i hyrjes së terroristëve në Amerikë. Agjentët e patrullimit të kufirit po ndihmohen nga teknologjia e re e zbulimit, si videokamerat me rreze infra të kuqe të lidhura me ndjesorë që aktivizohen nga lëvizjet e objekteve në terren.
Agjentja Kim Kaya thotë se para 11 shtatorit në kufi kishte vetëm një video-kamer, kurse tani 32 të tilla. “Ne mbulojmë një sipërfaqe të madhe dhe zakonisht mund të shkojmë në çdo pikë të kufirit brenda një minute ose më pak. Kontrolli bëhet më mirë se në të kaluarën,” thotë agjentja.
Agjenti Kohlman thotë se përveç shkëmbimit të të dhënave të zbulimit, themelore është të jesh i përqendruar. “Edhe pse në një moment të caktuar mund të mos ndodhë gjë, ne duhet të jemi gjithnjë vigjëlentë e të përgatitur për gjithçka që mund të ndodhë”. Megjithëse përgatitja është thelbësore, askush prej atyre që patrullojnë në këtë kufi të hapur, nuk mohon se terroristët, imigrantët e paligjshëm apo kontrabandistët e drogës mund të gjejnë mënyra për të kaluar kufirin e Shteteve të Bashkuara me Kanadanë, që në pjesën më të madhe nuk ruhet.