Lidhje

Çmimet e naftës rriten pësëri në shifra rekord


Zyrtarët amerikanë po përpiqen të luftojnë inflacionin dhe rritjen e çmimeve të naftës, të cilat sot u rritën përsëri. Ndërkohë Walmarti – rrjeti më i madh i supermerkatove në botë po përballet në gjyq me akuza për diskriminim të punëtorëve. Le t’u hedhim një vështrim të shkurtër ngjarjeve kryesore ekonomike të javës.

Banka Qendrore amerikane rriti këtë javë interesin e saj bazë me 0,25 përqind për t’i dalë përpara rritjes së inflacionit. Zyrtarët e Bankës lanë të kuptohet se interesi do të vazhdojë të rritet me një hap të matur.

Ndërkohë, shitjet me pakicë në Shtetet e Bashkuara u rritën 1,8 përqind në muajin korrik, pas uljes së çmimeve që bënë prodhuesit më të mëdhenj të makinave. Duke përjashtuar rritjen në shitjet e automobilëve, shitjet në përgjithësi u rritën vetëm 0,3 përqind.

Disa analistë thonë se rritja e çmimeve të benzinës i dëmtoi shitjet me pakicë duke i lënë konsumatorët me më pak të ardhura për shpenzime të tjera.

Çmimet e naftës u rrit përsëri këtë javë në shifra rekord. Analistët ia hedhin fajin kërkesës së madhe dhe shqetësimeve për çrregullime të mundshme në treg. Çmimet janë rritur mëse 40 përqind krahasuar me vitin e kaluar.

Presidenti Bush ktheu në ligj një projektligj për energjinë që sipas tij do të forcojë ekonominë amerikane dhe do të ulë varësinë e vendit tek nafta e huaj.


Mbështetësit thonë se ligji i ri do të sjellë shkurtime të mëdha taksash, të cilat do të nxisin prodhimin dhe burimet alternative të energjisë.

Kritikët thonë se ligji nuk do ta ulë kërkesën në rritje për naftën e huaj.

Wal-Mart-i, rrjeti më i madh i supermerkatove në botë i ka kërkuar një gjykate apeli që të rrëzojë akuzat e ngritura nga disa gra, të cilat thonë se kjo kompani i ka paguar më pak se sa burrat me të njëjtat aftësi.

Një gjykatës i një gjykate më të ulët tha se me akuzat mund të bashkohen deri në 1,6 milion gra që punojnë ose kanë punuar për Wal-Mart-in.

Wal-Mart-i i mohon akuzat për diskriminim dhe thotë se është e padrejtë dhe e pamundur të mbrohet nga një grup kaq i madh akuzuesesh.

XS
SM
MD
LG