Lidhje

60 vjetori i dorëzimit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore


15 gushti është 60-vjetori i kapitullimit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore. Ushtria japoneze kishte hapur luftë në Paqësor që në vitin 1931. Por gjatë gjithë viteve ’30, Shtetet e Bashkuara ishin në paqe me Japoninë. Në vitin 1940, presidenti Franklin Roosevelt e çoi flotën amerikane në Pearl Harbour të Havait, për të mos e lejuar Japoninë të sulmonte. Ajo që ndodhi më pas ndryshoi rrjedhën e historisë.

Të dielën në mëngjes, më 7 dhjetor 1941 qindra avionë luftarakë japonezë kryen një sulm të befasishëm ndaj bazës detare amerikane në Pearl Harbour. Një ditë më pas, Presidenti Franklin D. Roosevelt i shpalli luftë Japonisë. “7 dhjetori është një ditë që do të kujtohet gjithmonë si një ditë e dhimbshme”, tha presidenti.

Kur Shtetet e Bashkuara hynë në luftë, 20 vjeçari Norman Hatch ishte fotograf me trupën e marinsave. Dy vjet më pas, ai u dërgua për të dokumentuar luftën e Shteteve të Bashkuara me Japoninë në ishullin Tarawa të Paqësorit: “Unë isha rreth 10 deri në 12 metra larg armikut dhe isha në gjendje të shkrepja të vetmen fotografi, jo vetëm në Paqësor, por mendoj në luftën Evropiane, ku mund të shihje njëkohësisht djemtë tanë që luftonin dhe japonezët pas tyre”.

Filmi i trupës së marinsave, i quajtur “Me marinsat në Tarawa”, fitoi më pas një çmim Oscar për portretizimi real të betejës së vitit 1943: “Ishte një betejë që zgjati tri ditë, 76 orë në një rrip toke sa një e treta e Parkut Qendror të New Yorkut dhe në atë periudhë të shkurtër kohe, 6 mijë vetë u vranë dhe 2 mijë u plagosën”, thotë zoti Hatch.

Në shkurt 1945, marinsat amerikane hynë për herë të parë në territor japonez, në Iwo Jima. Norman Hatch ishte i pranishëm dhe e filmoi. “Pavarësisht se mendojmë se Tarawa ishte diçka e tmerrshme, nga mënyra sesi e kishin zhytur veten japonezët, në Iwo ishte shumë më keq”.

Ditën e pestë të betejës, marinsat ngritën flamurin amerikan në malin Suribachi, një ngjarje e përjetësuar nga një fotografi e famshme dhe nga ekipi i kameramanëve që drejtoheshin nga zoti Hatch. Zoti Hatch ende tronditet nga pamjet e tmerrshme të luftës. Ai tha se Shtetet e Bashkuara ishin të justifikuara në sulmet e tyre bërthamore ndaj Japonisë, sepse ai beson se lufta e Paqësorit do të kishte vazhduar për vite të tjera me radhë.

Daniel Martinez është historian në Përkujtimoren USS Arizona në Pearl Harbour. Ai thotë se për shumë amerikanë në vitet 1940, shprehja “Mos harroni Pearl Harbor”, ishte një thirrje për hakmarrje. Por 60 vjet pas përfundimit të luftës, zoti Martinez thotë se ndjenja e hakmarrjes është zhdukur: “Tani ‘mos harroni Pearl Harbor’ është një shprehje nderimi, për të kujtuar të vdekurit, për të kujtuar se lufta ishte tragjike për të dyja palët”.

Stephen Cromwell ështën një veteran i luftës së Paqësorit, i cili ende ndjen nderim për ata që humbën jetën nga të dyja palët. Ai ishte ushtar në anijen luftarake USS Missouri kur ajo u godit nga një pilot kamikaz japonez në prill të vitit 1945: “Unë arrita ta gjej trupin e tij dhe pyeta nëse duhej ta hidhnim në ujë. Por kapiteni Callaghan tha jo dhe shtoi se kur të mos kishte më rrezik do ta çonim diku në një gji dhe ta varrosnim”.

Zoti Cromwell thotë se kapitenit të anijes USS Missouri, William Callaghan i kishte bërë përshtypje trimëria e pilotit dhe kishte këmbëngulur që ai të varrosej me nderime. Disa muaj më pas, në bordin e anijes USS Missouri më 2 shtator, 1945, Japonia iu dorëzua aleatëve.

XS
SM
MD
LG