Lidhje

Bosnje: Teknologji e re për të gjetur vendndodhjen e varreve masive


Në Bosnje po përdoren teknika të reja të marrjeve të imazheve me satelitë, për të gjetur se ku ka varre masive. Teknologjitë e reja jo vetëm ndihmojnë për të përcaktuar se ku janë varrezat ekzistuese, por edhe mund të pengojnë fshehjen e tyre në të ardhmen. Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur pati rast dje të shohë në Bosnjen Lindore rezultatet e para të metodës së re.

Pranë fshatit të Çançarit në Bosnjën lindore shtrihet një nga varrezat masive të njohura, por ende të pahapura të vendit. Është një nga 16 vendet e studiuara nga një grup ekspertësh imazhesh satelitore, arkeologësh të kriminalistikës dhe ekspertësh të gjeologjisë.

Këtu ata kanë gjetur shenja gjeografike që u ngjajnë varreve masive, që do të ndihmojnë për gjetjen e varreve të fshehura në të ardhmen.

Për studimin janë përdorur teknologji të reja që nuk janë përdorur kurrë më parë bashkë. Një nga këto teknologji është kapja e imazheve me satelitë dhe analiza spektrale, që kohët e fundit është përdorur për të zbuluar varret masive në Irak. Me këtë metodë maten ndryshimet në përbërjen e terrenit dhe bimësisë.

“Këtu kemi një problem konkret me të cilin merremi prej 10 vjetësh. Kështu që duhet të shohim se çfarë do të ketë ndryshuar në 10 vjet, të parashikojmë se çfarë do të ndodhë, të parashikojmë se si ndryshon bimësia për 10 vjet. Ne identifikojmë vendndodhjet në përgjithësi me satelitë dhe pastaj me analizën spektrale, jemi në gjendje të kuptojmë se ku kanë ndodhur ndryshimet në bimësi”, thotë profesor John Hunter i Universitetit të Birmingamit.

Deri tani gjetja e varreve masive, ka qenë një ndërmarrje e vështirë.

“Përmes kapjes së imazheve me satelitë, ne duam të jemi në gjendje të shohim një pjesë territori sa më të madhe dhe pastaj pak nga pak të përqendrohemi pikërisht aty ku mund të jetë varreza. Kështu që ne po përdorim deklarata dëshmitarësh, një periudhë të caktuar kohe kur mund të ketë ndodhur ngjarja dhe një numër të përafërt viktimash”, thotë Jon Sterenberg i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

Ky Komision shpreson që teknikat e reja jo vetëm do të ndihmojnë të gjenden varret masive, por madje edhe do ta vështirësojnë fshehjen e varreve masive në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG