Lidhje

Përfundon evakuimi në 17 nga 21 vendbanimet e Gazës


Trupat izraelite përfunduan evakuimin e vendbanimit të Gadidit në Rripin e Gazës, një nga xhepat e fundit të qëndresës ndaj tërheqjes së urdhëruar nga qeveria. Zyrtarët thonë se trupat e paarmatosura larguan sot rreth 90 persona, shumica protestues që nuk ishin banorë të vendbanimit.

Operacioni u zhvillua kryesisht pa shumë rezistencë, ndryshe nga evakuimi i djeshëm në vendbanimet e Neve Dekalimit dhe Kfar Daromit ku banorët i goditën ushtarët izralitë me objekte dhe lëndë kimike. Pas evakuimit të Gadidit, forcat izraelite pezulluan operacionet e tërheqjes për të shtunën hebraike.

Operacionet do të rifillojnë të dielën. Zyrtarët ushtarakë thonë se 17 nga 21 vendbanimet e Gazës janë zbrazur. Edhe në Bregun Perëndimor, kolonët në dy nga katër enklavat që duhet të evakuoheshin janë larguar. Pritet që evakuimi i dy vendbanimeve të tjera të kryhet javën e ardhshme.

Reagimi palestinez

Ndërkohë udhëheqësi palestinez Mahmud Abaz u tha qindra palestinezëve që festonin se tërheqja e Izraelit nga Rripi i Gazës, pas një pushtimi 38 vjeçar, ishte rezultat i sakrificave të tyre.

Po ashtu ai premtoi palestinezëve hapjen e vendeve të punës dhe ndërtimin e shtëpive dhe u bëri thirrje të mos kryejnë akte dhune.

Zoti Abbaz i bëri këto komente në Aeroportin Ndërkombëtar të Gazës në qytetin Rafah, ku gjatë 5 vjetëve të kryengritjes palestineze, Izraeli ka ndërhyrë shumë herë ushtarakisht.

Dalja e tij në aeroport ishte e rëndësishme, pasi aeroporti ka qënë i mbyllur që kur Izraeli prishi pistën e tij në fillim të kryengritjes. Zoti Abaz tha sot se aeroporti do të rifillojë të funksionojë së shpejti.

Zoti Abaz dhe lëvizja e tij Fatah, janë mbërthyer në një garë të ashpër me grupin ekstremist Hamas, duke pretenduar secili se është faktori kryesor i tërheqjes nga Gaza, që ishte një lëvizje e njëanshme e ndërmarrë nga Izraeli.

XS
SM
MD
LG