Lidhje

Demografia e shekullit të 21-të


Deri në mes të shekullit të ardhshëm, popullsia e botës do të shtohet me 2 deri 3 miliardë banorë të tjerë, duke arritur në 9 miliardë banorë. Gjysma e kësaj shtese do të vijë nga një numër i vogël vendesh, shumica në rajonet në zhvillim.

Demografët thonë se pas 45 vjetësh, gjysma e popullsisë së botës do të jetë e përqëndruar në vende të tilla si India, Kina, Pakistani, Nigeria, Indonezia dhe Bangladeshi.

“India është vendi me rritjen më të madhe, me rreth një-të-pestën e shtesës së popullsisë sot”, thotë Joseph Chamie, drejtor i Qendrës Studimore për Migrimin me seli në Nju Jork.

Për 25 vjet ai ka qenë Drejtor i Zyrës së OKB-së për Popullsinë.

“Bota sot rritet me 76 milionë banorë në vit, dhe një-e-pesta e kësaj rritjeje vjen nga India. Në vend të dytë është Kina me 10 përqind dhe Pakistani me 4 përqind.”

Për dallim, rreth 50 vende të tjera do të shënojnë rënie të numrit të popullsisë. Federata Ruse pritet të shënojë humbjen më të madhe në vlerë absolute, rreth 31 milionë banorë, e pasuar nga Ukraina me një humbje 20 milionë dhe Japonia me 16 milionë.

Rënia e popullsisë së Ukrainës është shqetësuese, pasi ajo përbën 43 përqind të popullsisë së saj. Në përgjithësi, popullsia e botës por shënon rritje, por sipas demografëve, ritmi i shtimit është ulur.

Sipas tyre që nga vitet ’70, familjet pothuajse kudo në botë kanë më pak fëmijë, për shkak të zgjedhjes që bëjnë vetë çiftet, por edhe për shkak të metodave të planifikimit familjar.

Jay Keller, demograf me organizatën jo-qeveritare, Lidhja e Popullsisë, thotë se shtimi i pakufizuar i popullsisë, do të ishte një barë edhe më e madhe mbi burimet tashmë të ralla në shumë vende në zhvillim.

“Ajo që na shqetëson më shumë është shtimi i shpejtë i popullsisë në vendet që janë më pak të afta ta përballojnë këtë rritje. Për një vend që e ka të vështirë të sigurojë ushqim dhe arësim për popullsinë e tanishme, shtimi i lartë, në disa raste me 50 përqind, gjatë 25 – 35 vjetëve të ardhshëm, e bën gjendjen edhe më të vështirë”, thotë zoti Keller.

Në disa vende, thotë demografi, njerëzit po lëvizin drejt zonave urbane, duke krijuar të ashtuquajturat mega-qytete, si në Tokio, Shangai, Meksiko, dhe San Paulo, duke vënë kështu në rrezik mjedisin dhe burimet.

Por shumë analistë janë optimistë, duke vënë në dukje përmirësimet e ndjeshme të kushteve të jetesës gjatë dekadave të fundit. Në përgjithësi vdekshmëria është ulur dhe jetëgjatësia është shtuar.

Demografët thonë se deri në vitin 2050, jetëgjatësia në botë pritet të rritet me 10 vjet. Por siç shpjegon William Butz, i Byrosë së Referencave të Popullsisë, kjo po ashtu do të thotë se popullsia gradualisht po plaket.

“Kjo është pjesërisht për shkak të Kinës që ka një-të-pestën e popullsisë. Dhe popullsia e Kinës po plaket, për shkak të rënies së lindjeve gjatë dekadave të fundit. Por nuk është vetëm Kina. Në Amerikë, në vendet perëndimore, lindjet janë pakësuar”, thotë zoti Butz.

Deri nga mesi i këtij shekulli, grup-mosha mbi 65 vjeçare pritet të dyfishohet, nga 7 përqind të popullsisë që përbën sot, në 15 përqind. Analistët parashikojnë që bota në të ardhmen do të ndeshet me sfida demografike, por shtojnë ata, historia tregon se problemet mund të kapërcehen përmes politikave të informuara dhe një planifikimi të kujdesshëm për të ardhmen.

XS
SM
MD
LG