Lidhje

Negociatorët shiitë dhe kurdë arrijnë marrëveshje për kushtetutën e Irakut


Në Irak, negociatorët shiitë thonë se kanë arritur një marrëveshje me udhëheqësit kurdë lidhur me kushtetutën e re të vendit, një projekt i së cilës do t’i dërgohet sot për miratim Parlamentit.

Udhëheqësit e të dy grupeve, krahas me negociatorët suni, janë përpjekur të arrijnë një marrëveshje mbi Kushtetutën e re të vendit, para afatit të mesnatës, sipas orës së Bagdadit. Udhëheqësit suni thonë se e kundërshtojnë projekt-kushtetutën e mbështetur nga shiitët dhe kurdët, por duket se u mungojnë votat në Parlament për të bllokuar miratimin e dokumentit.

Sunitë thonë se në se Parlamenti e miraton projektkushtetutën, ata do t’u bëjnë thirrje të gjithë irakianëve ta hedhin poshtë atë në një referendum që është planifikuar tashmë të zhvillohet.

Hollësitë lidhur me projekkushtetutën nuk dihen me saktësi, por një prej çështjeve kryesore ka të bëjë me konceptin që Iraku të jetë një shtet federal, koncept që sunitë e kanë kundështuar vazhdimisht.

Të tre palët në bisedime kanë negociuar për disa javë për të kapërcyer mosmarrëveshjet që kanë të bëjnë me rolin e ligjit islamik në Irakun e ri, të drejtat e grave dhe shpërndarjen e të ardhurave nga nafta.

Afati i mëparshëm për arritjen e marrëveshjes ishte e hëna e kaluar dhe u shty me një javë, me kusht që bisedimet të vazhdonin. Ndërkohë, zyrtarë ushtarakë amerikanë thanë se një ushtar amerikan u vra dhe 3 të tjerë u plagosën kur një bombë shpërtheu sot afër patrullës së tyre në qytetin e Samarës.

XS
SM
MD
LG