Lidhje

Apeli shpall deputet Kastriot Islamin e PS në zonën zgjedhore 73


“Kolegji Zgjedhor, në bazë të nenit 174 - pika 3 e Kodit Zgjedhor vendosi pranimin e Kërkesë - Padisë së Kastriot Islamit dhe Partisë Socialiste; anullimin e vendimit të KQZ, nr 632 datë 12 .08…”

Kolegji Zgjedhor i Apelit vendosi të shpallë fitues në zonën zgjedhore 73 të Ballshit kandidatin e PS, Kastriot Islamin, duke rrëzuar vendimin e komisionit zonal që kishte nxjerrë fitues kandidatin e Partisë Demokratike, Artur Shehu.

Gjyqtarja Sashenka Jonuzi e shpalli vendimin pas nje seance gjyqësore që zgjati mbi 7 orë, dhe mes interesimit të madh të shtypit. “Kolegji shpall fitues kandidatin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, zotin Kastriot Selman Islami. U shpall në datën 22. 08. 2005” – theksoi ajo në përfundim të vendimit. Ndonëse ishte një nga ankesat e para që u paraqit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, zona 73 e Ballshit u shqyrtua e fundit, dhe pa u vendosur asgjë përfundimisht për një kohë të gjatë, u arrit të zgjidhej në Kolegjin Zgjedhor vetëm sot në mbrëmje pas 50 ditësh.

Ndërkaq kryetari i PD dhe kandidati për kryeministër, Sali Berisha, lajmëroi reforma të rëndësishme në sistemin e drejtësië, që pritet, sipas tij, të forcojnë pavarësinë gjykatave nga një anë dhe luftën kundër korrupsionit nga ana tjetër. Ai i bëri këto komente gjatë një konference ku vlerësoi rezultatet e votimeve të përsëritura të 21 gushtit në Shkodër, Lushnje dhe Gjirokastër.

Zoti Berisha tha se disa sektorë të drejtësisë janë në një gjendje të papëlqyeshme ndaj reformat janë të nevojshme me vullnetin e përbashkët të forcave politike. “Në Shqipëri gjendja me çështjet civile është katastrofale. Është një katastrofë e vërtetë dhe nuk mund të pranohet më. Nëse ne e kemi çështjen civile si biznes dhe jo si një e drejtë, atëherë nuk ndërtojmë as kapitalizëm dhe asgjë. Është një kusht kryesor dhe unë kam besim se do të ketë një seriozitet nga të gjitha forcat politike për këtë reformë” - tha ai.

Zoti Berisha shprehu rezerva për punën e prokurorisë, duke e përshkruar atë si tepër pasive. Ai tha se “prokuroria fle mbi dosjet e krimit”, duke lënë të kuptohet edhe për ndryshim të drejtuesve të prokurorisë shqiptare. “Reforma e këtyre institucioneve të drejtësisë është e domosdoshme. Shqipëria ka një institucion akuze jashtëzakonisht të paralizuar. Ka raste shumë flagrante, që nuk numd të mohohen. Mandate ynë është lufta kundër korrupsionit” - tha ai.

Kryetari i PD theksoi se përpara emrave të ministrave të rinj do të publikojë një strukturë të re qeveritare, më të thjeshtë dhe më të frytshme në punë. Zoti berisha tha se në qeverinë aktuale vihen re dy struktura qeveritare, që mbajnë lidhje të pazakonta paralele midis tyre, duke lënë mjaft mundësi për abuzime.

Ndërkohë, përfundoi procesi i numrimit të votave në zonën zgjedhore numër dy, ku përfshihen 6 komunat malore të Shkodrës dhe Malësisë së Madhe. Në përfundim të numrimit është shpallur fitues kandidati i partisë demokratike, Astrit Bushati, i cili ka marrë rreth 3 mijë vota më shumë se kandidati i partisë socialiste. Keshtu, demokratët arritën të fitojnë edhe tre zonat zgjedhore, ku më 21 gusht u zhvillua procesi i rivotimit, për shkak të shkeljeve të vërejtura në votimet e 3 korrikut.

Kantidati i Partisë Demokratike Genc Ruli u shpall sot fitues nga Komisioni Zonal ne zonen 90 në Gjirokastër. Zoti Ruli mori rreth pesë mijë vota më shumë se kantidatja Socialiste Makbule Çeço. Dega vendore e Partisë Socialiste e pranoi humbjen.

XS
SM
MD
LG