Lidhje

Shkencëtarët e Harvardit pranë krijimit të qelizave të ngjashme me ato embrionale


Shkencëtarët në Universitetin e Harvardit këtu në Shtetet e Bashkuara thonë se kanë bërë një zbulim të rëndësishëm drejt krijimit të qelizave të ngjashme me ato embrionale, të cilat mund të përdoren gjerësisht në fushën e mjekësisë, për transplantimin e organeve, si dhe për mjekime të tjera.

Shkencëtarët e Universitetit të Harvardit kanë zbuluar një procedurë për kombinimin e qelizave të zakonshme të lëkurës me ato embrionale, për të krijuar qeliza me veti si ato embrionalet gjë që mund të eliminojë nevojën për shkatërrimin e embrioneve njerëzore.

Qelizat embrionale janë qeliza të paformuara mirë, të cilat mund të shndërrohen në çdo lloj indi të një fetusi që është në zhvillim. Për vite me radhë, shkencëtarët i kanë parë qelizat embrionale si një mënyrë për krijimin e organeve të përshtatura gjenetikisht për transplantime dhe për kurimin e kancerit dhe sëmundjeve të tjera. Por burimi më i mirë i këtyre qelizave janë embrionet.

Procesi i ri përfshin shkrirjen, apo gërshetimin e një qelize embrionale të marrë nga një linjë qelizash embrionale të përftuara në laborator, me qelizën e lëkurës së një personi, për krijimin e një qelize të re hibride; nëpërmjet gërshetimit të materialit gjenetik, apo ADN-së së personit që ka dhuruar qelizën embrionale, me ADN-në dhe vetitë e qelizës embrionale të rritur në laborator.

Studiuesit e Harvardit thonë se arritën të demonstrojnë se qelizat e shkrira hibride ishin, “të riprogramuara sikur të ishin embrionale”, duke shfaqur karakteristika të qelizave embrionale.

Doktor John Geahart, studjues i qelizave embrionale në Fakultetin e Mjeksisë të Universitetit Johns Hopkins në Baltimore të Marylandit, thotë se këto hibride nuk janë qeliza embrionale. "Duhet ta marrim këtë studim me rezerva, që do të thotë se ky është vetëm fillimi - këto qeliza përsëri kanë dy grupe kromozomesh dhe tani për tani ky është problemi. Si mund të shmangim një grup kromozomesh që bëjnë riprogramimin e grupit tjetër?

Do të duhet të gjendet një metodë për heqjen e ADN-së embrionale, në mënyrë që gjenet që mbeten t’i përshtaten dhuruesit në moshë të rritur, për të cilin do të krijohet terapia e qelizave embrionale, pra që ato të mos kundërshtohen nga sistemi i tij imunitar.

Studiuesit në shtetin e Illinoit dhe në Australi po përpiqen për heqjen e ADN-së shtesë nga qeliza hibride. Doktor Gearhart thotë se do të kalojë një kohë e gjatë që kjo procedurë të hyjë si praktikë për kurimin e sëmundjeve."Ne duhet të demonstrojmë, gjë që studjuesit tashmë e kanë theksuar, se kemi një rrugë të gjatë përpara për të treguar se llojet e qelizave që ata po krijojnë do të jetë të sigurta për t’u vënë në përdorim si kura". T

eknika e re mund t’i lejojë një ditë shkencëtarët të krijojnë linja të reja qelizash embrionale pa përdorimin e vezëve dhe pa shkatërruar embrionet njërëzore, një çështje kjo që ka ngjallur shumë debate në Shtetet e Bashkuara.

Ligji amerikan ndalon përdormin e fondeve qeveritare për këto lloje kërkimesh, megjithëse një projektligj tjetër që do ta hidhte poshtë atë të mëparshmin, ka mbetur pezull në Kongres. Presidenti Bush ka kërcënuar se do t’i verë veton këtij projektligji, por tani ky projektligj po fiton mbështetje mes shumë prej mbështetësve të Presidentitg Bush, të cilët i konsiderojnë kërkime të tilla shkencore si mënyrë për gjetjen e kurave të reja premtuese. Doktor Gerhart thotë se ekziston mundësia që teknika e re t’i kapërcejë shqetësimet etike dhe të bëhet një burim i rëndësishëm për krijimin e qelizave embrionale.

XS
SM
MD
LG