Lidhje

Barriera ligjore mund ti mbajë astronautët amerikanë larg Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor


Koha po afron që Uashingtoni dhe Moska të kapërcejnë një barrierë ligjore për të lejuar astronautët amerikanë që të banojnë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor. Por disa kufizime mund të pengojnë pjesmarrjen e Shteteve të Bashkuara në këtë projekt në fillim të vitit të ardhshëm.

Tani që anija amerikane e hapësirës Diskavëri u kthye në Tokë, misionet e ardhshme janë shtyrë derisa agjencia e hapësirës Nasa të zgjidhë problemin e mbetjeve që rrezikojnë anijen gjatë lëshimit. Kurdo që të fillojnë misionet, ato do të vazhdojnë të ndihmojnë në ndërtimin e Stacionit Orbital Ndërkombëtar të cilin Shtetet e Bashkuara e drejtojnë me Rusinë dhe me ndihmë nga Evropa, Kanadaja dhe Japonia.

Por ekziston një pengesë ligjore që mund të mos i lejojë astronautët amerikanë të banojnë në Stacion. Problemi e ka zanafillën qysh në vitin 1996, kur të dy vendet ranë dakort që Rusia tu jepte Shteteve të Bashkuara ekuipazh dhe transport falas për në stacion deri në prillin e vitit të ardhshëm. Ky kusht doli se ishte shumë i rëndësishëm gjatë ndalimit të fluturimeve amerikane në hapësirë pas katastrofës së anijes Kolumbia në vitin 2003, pasi Shtetet e Bashkuara nuk kishin rrugë tjetër për të dërguar në stacion astronautët e tyre dhe furnizime të ndryshme.

Por marrëveshja është gati përfundimit. Sipas zonjës Marcia Smith e zyrës së kërkimeve shkencore në Kongresin amerikan, udhëtimi i fundit falas i anijes Soyuz për një astronaut amerikan në stacion do të jetë në tetor me kthimin e planifikuar për në prill. "Shtetet e Bashkuara nuk kanë hyrje të garantuar në stacionin hapësinor pas prillit kur Rusia të ketë përmbushur detyrimet e saj. Ne nuk e dimë në se programet me anijet për vajtje ardhje në hapësirë do të vazhdojnë apo jo, por në se vazhdojnë, atëherë astronautët do të jenë në gjendje të qëndrojnë atje vetëm kur anija të ndodhet në stacion", thotë zonja Smith.

Marrëveshja amerikano-ruse dukej me leverdi në atë kohë kur anijet fluturonin rregullisht dhe Nasa parashikonte që projekti i Stacionit të kishte përfunduar deri në prill. Për periudhën pas kësaj Nasa kishte planifikuar të kishte një anije të veçantë që ekuipazhi amerikan mund të përdorte në raste emergjence duke mos i mbajtur shpresat vetëm tek anija Soyuz. Por zonja Marcia Smith thotë se administrata Bush i anuloi planet për një anije të tillë.

Një zgjidhje e mundshme do të ishte që Nasa të blinte shërbimet e tranportit nga rusët. Por një ligj amerikan i nxjerrë pesë vjet më parë i lejon pagesa të tilla vetëm nëse presidenti Bush konfirmon se Moska nuk i jep Iranit teknologji për armë dhe raketa.

Në një seancë me pyetje përgjigje në Dhomën e Përfaqësuesve, ligjvënësi Dana Rohrabacher i tha shefit të ri të Nasas Michael Griffin se ligji nuk ka arritur ta ndalë programin e armatimit bërthamor të Iranit. Ai fajësoi administratën e presidentit Bush dhe atë të presidentit Klinton që sipas tij nuk kanë ndërmarrë hapa diplomatikë për të mos e lejuar Moskën të ndihmojë me teknologji Teheranin.

Administrata e presidentit Bush kërkon që Kongresi ta ndryshojë ligjin amerikan në mënyrë që Nasa të mund të fillojë të blejë shërbime nga homologët e saj rusë. Por zonja Smith thotë se ka disa mënyra për të anashkaluar ligjin. Ai lejon pagesat kur është fjala për të parandaluar humbjen e jetëve në stacion apo për të ndihmuar në mirëmbajtjen e modulit rus të stacionit orbital. Ajo thotë se presidenti Bush mund të shpallë përjashtime të tilla.

Fizikani në pension Albert Wheelon, anëtar i komisionit që hetoi shpërthimin e anijes Challenger në vitin 1986 thotë se një alternativë tjetër do të ishte rinegocimi i marrëveshjes për të vazhduar shërbimet falas nga ana e Rusisë. Por ai mendon se agjencia ruse e hapësirës, e cila është në gjendje të vështirë financiare nuk do të mund ta bënte dot një gjë të tillë. "E kemi vënë veten në një pozicion pa rrugëdalje. Nuk mendoj se pala ruse do të jetë dakord ta bëjë një gjë të tillë. Ideja për të realizuar edhe 28 misione të tjera është jashtë kufijve të tyre të bujarisë", thotë zoti Wheelon.

Shefi i Nasës Michael Griffin thotë se kjo dilemë është arsyeja kryesore që ai kërkon të zëvendësojë flotën e vjetëruar të anijeve të hapësirës deri në vitin 2010 për të lejuar që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të kenë pavarësinë e tyre në hapësirë.

XS
SM
MD
LG