Lidhje

Serbët e Kosovës kërkojnë ndryshime në planin e decentralizimit


Përfaqësuesit e subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës, u kanë ofruar sot Misionit të Kombeve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës propozimet e tyre për ndryshime në planin për decentralizimin e pushtetit si kusht për përfshirje në këtë proces.

Drejtuesi i Listës Serbe për Kosovën dhe Metohinë, Oliver Ivanoviç, tha pjesëtarët e kësaj liste janë të vetëdijshëm për rrezikun që ekziston për serbët nëse nuk marrin pjesë në proces, mirëpo sipas tij, pjesëtarët e këtij komuniteti nuk pajtohen me planin aktual të decentralizimit. Ai tha se plani i qeverisë vë në dyshim parimet që dy komuna të kenë shumicë të qartë serbe, dy shumicë shqiptare dhe një komunë të ketë shumicë nga komuniteti joshqiptar dhe jo serb.

Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen-Petersen tha ndërkaq se është me rëndësi që të zhvillohet dialog ndërmjet institucioneve vendase dhe përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës për çështjen e decentralizimit, por nënvizoi se zvarritja e këtij procesi nuk do të pengojë fillimin e procesit të zgjidhjes së statusit, bisedimet për të cilin sipas tij, pritet të fillojnë gjatë vjeshtës.

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës thanë ndërkaq se do të vazhdojnë dialogun për decentralizimin por nuk do të ketë ndryshime thelbësore në planin aktual të decentralizimit.

XS
SM
MD
LG