Lidhje

Gjermani: suksesi i një kompanie në klimën e problemeve ekonomike


Gjermanët janë aq të shqetësuar nga papunësia e lartë sa që mund të votojnë kundër qeverisë aktuale në shtator. Problemet ekonomike që mund të kenë ndikim tek politika gjermane, janë më të mprehta në pjesën lindore të saj.

Në ish gjermaninë lindore ka shumë kompani të rrënuara, por edhe një kompani, që ndryshe nga ç’pritej, po arrin sukses. Kompania që prodhon verën e bardhë me gaz Rotkappchen e kryen aktivitetin e vet në këtë qytet të bukur të Gjermanisë Lindore prej më shumë se një shekulli.

Fjala Rotkappchen i referohet kapakëve prej alumini të kuq që u vihen shisheve dhe do të thotë kësulëkuqe, si vajza e vogël e përrallës, të cilën do ta hajë ujku.

Në këtë përrallë të kohëve moderne, ujku është konkurrenca shumë më e fortë e ekonomisë së tregut me të cilën u ndeshën kompanitë gjermano-lindore, pas bashkimit me atë perëndimore para 15 vjetësh. Në shumë raste, ujku ka fituar dhe shumë kompani gjermano-lindore u dobësuan, duke i lënë pa punë miliona njerëz.

Drejtori i marketingut Peter Claussen thotë se Rotkappchen kaloi kohë të vështira pas ribashkimit. Shitjet ranë me 90 për qind dhe kompania pushoi nga puna 300 nga 360 punëtorë.

Zoti Claussen thotë se problemi kryesore ishte se partnerët e mëparshëm tregëtarë të kompanisë të vendeve të Evropës Lindore, nuk kishin më peshë ekonomike.

“Kështu që ne nuk mund t’i shisnim më produktet tona si më parë. Rrethet e reja tregëtare nuk na njihnin aq mirë, kështuqë na duhej të shisnim vetë një nga një për herë të parë dhe ishte shumë vështirë që kompania të vazhdonte të funksiononte”, thotë Claussen.

Por ulja kostos nga ana e kompanisë dhe përqendrimi tek sektori i shitjes dhe reklamave, më në fund sollën rezultat. Para bashkimit, Rotkappchen shiste rreth 15 milionë shishe në vit.

Kjo shifër ra në 1.5 milionë menjëherë pas bashkimit, por që atëherë ka pësuar një rritje të jashtëzakonshme duke shkuar në rreth 60 milionë shishe. Edhe numri i vendeve të punës është rritur.

Kompania nuk i ka marrë parasysh sugjerimet e ekspertëve perëndimorë që të hiqte dorë nga emri i firmës Rotkappchen. Mesa duket ishte vendim i mirë dhe Rotkappchen u forcua aq shumë saqë bleu një kompani të madhe rivale në Gjermaninë perëndimore.

Zakonisht nuk ndodh kështu në Gjermaninë Lindore, por ky rast është po aq i veçantë sa ç’do të ishte sikur Kësulëkuqja të hante ujkun.

“Tani ne jemi pa diskutim kompania më e madhe që prodhon verë të bardhë me gaz në Gjermani”.

Ekspertët thonë se Rotkappchen është një histori suksesi në panoramën jo aq shpresëdhënëse të ekonomisë në Gjermaninë Lindore. Papunësia në Gjermani është 11 për qind, më e lartë sesa mesatarja mes vendeve që përdorin euron.

Në Gjermaninë lindore, është edhe më e lartë, 18 për qind. Karin Alleweldt e Federatës së Sindikatave thotë se pjesa lindore po rimëkëmbet me ngadalësi, ndërsa kompanitë po hapin pak komplekese të reja efikase që përdorin më shumë kompjutera dhe më pak njerëz. “Industritë po rikthehen", thote ajo.

Tani ish Republika Demokratike e Gjermanisë, ka më shumë kompani moderne sesa pjesa tjetër, por kjo do të thotë që edhe punonjësit janë më të pakët”. Ndërkohë, Peter Claussen thotë se kompania e tij ka arsye të festojë.

XS
SM
MD
LG