Lidhje

Shkretëtira e Arizonës - 200 imigrantë të vdekur nga temperaturat e larta


Stinës së nxehtë të verës po i vjen fundi në zonën e shkretëtirës që ndan Meksikën me shtetin jug-perëndimor të Arizonës. Pikërisht në këtë shkretëtirë, temperaturat e larta u kanë kushtuar jetën më shumë se 200 vetëve, nga ata që janë përpjekur të kalojnë kufirin ilegalisht për të hyrë në Shtetet e Bashkuara që nga fillimi i vitit. Si qeveria amerikane, ashtu edhe qytetarët, privatisht po mundohen të bëjnë diçka për të parandaluar vdekjet e imigrantëve të paligjshëm në shkretërirë.

Patrulluesi i kufirit, agjenti Vinsent Hampel është me mision për të ndaluar imigrantët e paligjshëm që mundohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, por ai ka gjithashtu edhe pregatitje mjekësore dhe ka shpëtuar jetën e një numri të madh imigrantësh. “Ne jemi në kërkim të imigrantëve të paligjshëm. Problemi i parë është t’i gjejmë, problemi i dytë është t’i çojmë në një vend ku do t’ju jepet ndihmë mjekësore”, thotë zoti Hampel.

Patrulla kufitare mbështetet në personelin e saj të stërvitur si dhe në pajistjet dhe teknologjinë mjeksore për të shpëtuar nga vdekja mijëra imigrantë çdo vit. Shumicën e kohës, njerëzit e ndodhur në shkretëtirë kanë nevojë për ujë dhe një solucion që zëvendëson lëngjet që ka humbur organizmi.

Shumë qytetarë privatisht, po mundohen të parandalojnë vdekjet e imigrantëve. Robin Huvër, prift në qytetin Tucson, drejton një organizatë të quajtur “Kufijtë njerëzorë,” e cila vendos bidona me ujë në vende strategjike në shkretëtirë. Ai thotë se patrulla e kufirit është më shumë një problem, sesa një zgjidhje për numrin e vdekjeve të imigrantëvetë paligjshëm. “Që nga viti 1993 ne nuk kemi qenë të aftë ta ulim fare numrin e shkelësve të kufirit. Aq më tepër shtimi i numrit të patrullave ka bërë që imigrantët të zgjedhin rrugë më të vështira, të cilat zgjasin edhe më tepër udhëtimin në shkretëtirë, duke shtuar mundësinë që ata të jenë të ekspozuar ndaj kushteve që shkaktojnë vdekjen.”

Zëdhënësi i patrullimit të kufirit, dhe qytetarë të mbështesin ndalimin e hyrjes së paligjshme të imigrantëve thonë se shkaku i vdekjeve në shkretëtirë nuk janë përpjekjet për zbatimin e ligjit. Ata gjithashtu kritikojnë grupe si “Kufijtë Njerëzorë” për inkurajimin e imigratëve, për të kaluar kufirin ilegalisht, akuzë të cilën zoti Huvër e hedh poshtë. “Në qoftë se njerëzit thonë se ne po krijojmë një infrastrukturë për imigracionin dhe do të duhej të hiqnim stacionet e ujit, atëherë kjo do të ishte njësoj sikur të hiqnim semaforët nga qytetet. Ky argument nuk ka kuptim”, thotë zoti Huvër.

Stina e shirave të rrëmbyeshëm po afrohet në Arizonë. Kjo ul rrezikun e thatësirës dhe etjes për imigrantët. Agjenti Hampel i patrullës së kufirit thotë se zona megjithatë mbetet e ashpër edhe në kohë me lagështirë. “Sigurisht kur temparatura ulet, ekziston rreziku i hipotermisë dhe në qoftë se musonët godasin rëndë, ka rrezik përmbytjesh. Njerëzit rrëmbehen nga uji në shtratet zakonisht të thata që mbushen papritur me ujë.” Balta gjithashtu mund të jetë një problem.

Në një autostradë që kalon përmes shkretëtirës patrulla gjen dy meksikanë të shkalafitur. “Balta në këtë zonë të ngjitet tek këpucët dhe është e pamundur t’i pastrosh. Në qoftë se ecën 5 ditë me këmbet qull dhe më këpucët e rënduara nga balta, këmbët të bëhen plagë dhe kjo është e dhimbshme.” Disa imigrantë mund të mos i dinë këto rreziqe, por edha ata që i dinë, e vënë jetën në rrezik për një jetë më të mirë.

XS
SM
MD
LG