Lidhje

Prof. Fischer: Politikanët e Kosovës dhe Shqipërisë, duhet të kuptojnë që detyra e tyre është t’i shërbejnë popullit


Një historian amerikan thotë se rishikimi i teksteve të hisrorisë në Kosovë paraqet sfida, për shkak të ndërhyrjes së politikës dhe formulimve që mund të shkaktojnë tensione. Profesor Bernd Fischer, shef i Departamentit të Historisë në Univeristetin e Indianës në Fort Wayne, ishte kohët e fundit në Kosovë për një diskutim për këto tekste organizuar nga instituti gjerman George Ekhardt. Prof. Fischer tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, se pavarësia e Kosovës është në thelb e pashmangshme. Ai tha se si politikanët e Kosovës, edhe ata të Shqipërisë duhet të mësojnë t’i shërbejnë popullit dhe jo interesave të tyre.

Historiani Fischer, autor i librit “Shqipëria në Luftë”, është bashkëautor i një libri për udhëheqësit autocratë dhe dictatorët e Ballkanit, ku ai ka shkruajtur kapitujt për Mbretin Zog dhe për Enver Hoxhën. Libri pritet të dale në treg në fillim të vitit të ardhshëm. Ai po punon gjithashtu për një histori të Shqipërisë të shekullit të 20-të, së bashku me disa kolegë nga Shqipëria, si edhe po fillon të shkruajë një biografi të Enver Hoxhës.

Zëri i Amerikës: Ju sapo jeni kthyer nga Kosova ku punuat për rishikimin e teskteve të historisë për nxënësit e Kosovës. Cilat mendoni se janë sfidat për rishikimin e këtyre teksteve?

Prof. Bernd Fischer: Sfidat në këtë fazë janë shumë interesante, nga këndvështrimi im, sepse kjo do të thotë të marrësh pjesë në ndërtimin e një shteti, të krijosh imazhet e historisë që në fund të fundit do të jenë me rëndësi të madhe për të kuptuar gjithë procesin. Është një proces i papërfunduar. Tekstet e historisë janë problem kudo, jo vetëm në Ballkan, por në Kosovë ka disa probleme konkrete dhe ata që merren me to po punojnë për t’i zgjidhur.

Zëri i Amerikës: Sa ekziston rreziku i ndërhyrjes së politikës për realizimin e këtyre teksteve, si edhe i komunitetit ndërkombëtar. A ka pasur ndërhyrje politike për zbutjen e disa fakteve të historisë në tekstet e reja?

Prof. Bernd Fischer: Politika ndërhyn në këtë proces, kudo por ndoshta më shumë në Ballkan. Në këtë rast ka një farë ndërhyrjeje nga ana e komunitetit ndërkombëtar, si dhe patjetër nga strukturat ekzistuese politike. Prirja e këtyre subjekteve politike, është sigurisht drejt nacionalizmit. UNMIK-u po përpiqet të zbusë retorikën, me qëllimin për të inkurajuar njëlloj bashkëekzistence shumë-etnike. Deri tani këto përpjekje nuk kanë qenë shumë të sukseshme, megjithëse tekstet më të fundit kanë patur një formulim disi më të zbutur. Sigurisht që versionet e historisë së të dyja palëve do kenë gjithmonë ndryshime nga njëri-tjetri. Synimi i institutit ishte të nxiste autorët e teksteve të historisë së Kosovës të nxirrnin një variant sa më objektiv, si edhe të shmangen formulime të tilla që mund të ngjallin tensionim.

Zëri i Amerikës: Le të flasim pak për situatën aktuale në Kosovë. Si ju duket gjendja atje si nga gjendja politike, ashtu edhe për aspiratat për të filluar diskutimet për statusin përfundimtar të saj?

Prof. Bernd Fischer: Mendoj se gjendja tani është disi e papërcaktuar. Zgjedhjet e vitit të kaluar i vunë dy forcat kryesore politike kundër njëra-tjetrës dhe mendoj se kjo është për të ardhur keq pasi demokracia është ende në fazën e formimit. Mendoj se politikanët e Kosovës ende nuk kanë krijuar konceptin së pari të një opozite konstruktive, ku forcat politike që nuk janë në pushtet marrin pjesë në proces . Po ashtu ata duhet ta kuptojnë më mirë konceptin e shërbimit civil, domethënë që synimi kryesor i një politikani duhet të jetë që t’i shërbejë popullit.

Zëri i Amerikës: Cili mendoni se do të jetë rezultati i këtyre diskutimeve, pra cili do të jetë statusi përfundimtar i Kosovës?

Prof. Bernd Fischer: Mendoj se statusi përfundimtar do të ishte, ajo që shpesh është cilësuar si pavarësi me kushte. Kosova do të jetë e pavarur, megjithatë Kombet e Bashkuara, ose Bashkimi Evropian, do të vazhdojnë të luajnë rol përsa i takon mbrojtjes së pakicave, përsa i takon sistemit të drejtësisë dhe sigurisë. Por mendoj se tani pavarësia është në thelb e pashmangshme dhe komuniteti ndërkombëtar pa dyshim që po ecën në atë drejtim. Jam pak i shqetësuar se mos po lëvizin pak më shpejt se ç’duhet, domethënë duke krijuar një strategji të daljes, në vend të synimit për të krijuar një sistem politik funksional.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri janë mbajtur zgjedhjet parlamentare. Si e shikoni ju politikën të ecë pas këtyre zgjedhjeve dhe pas situatës së krijuar pas tyre?

Prof. Bernd Fischer: Zgjedhjet ishin një hap përpara, më shumë përsa i takon popullsisë, sesa politikanëve. Problemi për Shqipërinë aktualisht është se klasa politike, ashtu si edhe ajo e Kosovës duhet të zhvillojë konceptin e shërbimit ndaj publikut dhe të një opozite konstruktive. Më duket se politikanët shqiptarë shohin më shumë se ç’duhet interesin e tyre. Mendoj se do të kalojë kohë para se të dalin në skenë politikanë që vënë para së gjithash interesin e publikut.

Besoj se përsa kohë Berisha dhe Nano të jenë në pozicionet kryesore politike, pak gjëra do të ndryshojnë përsa i takon natyrës së politikës. Shoqëria në përgjithësi po zhvillohet, duke ecur në drejtimin e duhur, por figurat politike duket sikur i takojnë një modeli të vjetër të viteve ’60 dhe ’70. Derisa politikanë të rinj të dalin në skenë, ka mundësi të mos ketë shumë ndryshim në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Si historian, a mendoni se shpresat për integrim në institucionet euro-atlantike do të ndihmonin popujt dhe vendet e Ballkanit që të kapërcenin ndjenjat e tyre konfliktuale dhe zemërimet shekullore ndaj njëri-tjetrit?

Prof. Bernd Fischer: Mendoj se gjithmonë në një farë mase do të ketë probleme, por ato do të jenë gjithnjë e më të pakta dhe sigurisht që nuk janë më në nivelin e konfliktit të dhunshëm. Sigurisht që integrimi është një nga shtysat kryesore, pasi do të sillte mirëqenie ekonomike dhe mendoj se një nga mënyrat për të zbutur nacionalizmin në Ballkan është rritja e nivelit të jetesës, në një masë të tillë që nacionalizmi ta humbë peshën si çështje.

XS
SM
MD
LG