Lidhje

SHBA: vazhdon të ndihet ndikimi negativ i çmimeve të naftës


Çmimet botërore të naftës arritën rekorde të reja historike këtë javë. Analistët ia hodhën fajin për këtë rritje të çmimit një stuhie që kërcënon disa zona të rëndësishme të prodhimit të naftës në det në Shtetet e Bashkuara.

Çmimet e naftës bruto janë rritur rreth 55 përqind gjatë vitit të kaluar dhe ndikimi negativ i kësaj rritjeje po ndihet në mënyra të ndryshme kudo në botë.

Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se çmimet e larta të naftës mund ta minojnë rritjen ekonomike në Azi si dhe të sjellin inflacion në Indonezi dhe në Filipine.

Sipas disa raporteve të tjera, çmimet e naftës kanë dëmtuar besimin tek biznesi në Gjermani, ekonomia më e madhe evropiane. Rritja e çmimeve të energjisë bëjnë që të ulet krijimi i vendeve të reja të punës.

Edhe Indonezia është goditur nga çmimi i lartë i naftës. Presidenti indonezian i bëri thirrje qeverisë dhe bankës qendrore që të punojnë së bashku për të ndalur rënien e vlerës së monedhës kombëtare, e cila tani është në pikën më të ulët të tre vjetëve të fundit.

Presidenti Susilo Bambang Yudhoyono tha se mund të nevojiten masa të rrepta si shkurtimi i subvencioneve për karburantet dhe mallra të tjerë.

Shteti amerikan i Havait do të vendosë kufizime ligjore mbi çmimin e benzinës duke filluar nga shtatori. Havai ka çmimet më të larta të benzinës në Shtetet e Bashkuara.

Disa analistë thonë se vënia e kufizimeve të tilla mund t’i bëjë furnizuesit e naftës t’i dërgojnë prodhimet e tyre në destinacione të tjera ku ata mund të fitojnë më shumë, duke e lënë Havain me mungesa karburanti.

Administrata e Presidentit Bush ka propozuar standarde të reja për harxhimin e benzinës nga kamionët, mikrobuzët dhe disa makina të tipit fuoristrada.

Mikrobuzët që qarkullojnë me shumicë në rrugët e Amerikës vitin tjetër do të kërkohet që të shpenzojnë 1 litër bemzinë për 9,1 kilometra nga 9,8 kilometra që shpenzojnë mesatarisht tani. Sipas një plani të ri të administratës, edhe për automjetet e tjera do të kërkohen përmirësime të ngjashme.

XS
SM
MD
LG