Lidhje

Kosovë: Varrosen trupat e 21 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës


Mijëra qytetarë ishin mbledhur sot në fshatin Meje të komunës së Gjakovës për të marrë pjesë në varrimin e trupave të 21 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Më 27 prill të vitit 1999, 375 veta janë marrë nga forcat serbe të sigurimit dhe gjurmët e tyre janë humbur për një kohë të gjatë. Deri tash nga ky numër janë identifikuar 271 persona ndërsa ende nuk dihet asgjë për fatin e 104 të tjerëve.

Pjesa më e madhe e trupave të pajetë janë gjetur në disa varreza masive në serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për fshehjen e gjurmëve të mizorive të tyre në Kosovë.

Kongresisti amerikan Dana Rohrabacher u tha sot familjarëve dhe qytetarëve të mbledhur në Mejë se ngjarjet e tilla janë pasojë e së keqe prandaj njerëzit duhet të qëndrojnë së bashku dhe të mos harrojnë kurrë atë çfarë ka ndodhur. “Ne qëndrojmë me ju, duke I kujtuar të dashurit tua, nuk do t’i harrojmë dhe gjithmonë do të jemi me ju në luftën kundër kësaj forme të së keqes”, tha ligjvënësi amerikan.

Kryetari i Ligës Shqiptaro-amerikane Joseph Dioguardi tha se Meja është Srebrenica e Kosovës dhe botës duhet t’i përkujtohet gjithmonë ajo që i ka ndodhur popullit të Kosovës. “Duhet t’i përkujtojmë popullit të Serbisë se çfarë kanë bërë udhëheqësit e tyre në emër të tyre, meqë disa nga pjesëtarët e këtij popullit ende nuk besojnë se çfarë ka ndodhur këtu”, tha zoti Dioguardi. Ai u bëri thirrje përfaqësuesve shqiptarë që të bëjnë më shumë për të nderuar sakrificën e atyre që kanë rënë në luftën e Kosovës dhe të përmbushin synimet për pavarësinë e saj.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës bënë thirrje sot për përshpejtimin e zgjidhjes së fatit të personave të pagjetur. Ramadan Qehaja, këshilltar i lartë politik i kryeministrit të Kosovës Bajram Kosumi e quajti të pakuptimtë zvarritjen e kthimit të trupave. Ai theksoi se një trysni më e madhe ndërkombëtare ndaj Beogradit gjetja dhe kthimi i kufomave do të kishte përfunduar shumë kohë më parë dhe Beogradi nuk do të mund të përfitonte politikisht në kurriz të kësaj çështjeje. “Kjo pos tjerash nuk i kontribuon nevojës së fqinjësisë së mirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe sidomos të krijimit të një klime më të volitshme në rajon”, tha zoti Qehaja.

Edhe mbi gjashtë vjet pas përfundimit të luftës vazhdon të mbetet i paqartë fati I mbi 3 mijë personave prej të cilëve mbi 2 mijë e 400 janë shqiptarë të Kosovës, ndërsa të tjerët pjesëtarë të komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera. Çështja e të zhdukurve vazhdon të mbetet ndër trashëgimitë më të dhimbshme të luftës së Kosovës.

XS
SM
MD
LG