Lidhje

Presidenti Bush vlerëson zhvillimet në Lindjen e Mesme


Presidenti Bush po i vlerëson pozitivisht zhvillimet në Lindjen e Mesme, si tërheqjen e Izraelit nga Rripi i Gazës dhe bisedimet mbi kushtetutën e Irakut. Ndërsa sondazhet e fundit të opinionit publik tregojnë për rënie të mëtejshme të mbështetjes së publikut amerikan për politikat e tij në Irak, Presidenti Bush thotë se përpjekjet e Shteteve të Bashkuara atje do të kërkojnë më shumë kohë e sakrifica.

Presidenti Bush thotë se evakuimi i 21 vendbanimeve hebraike në Gaza dhe katër në Bregun Perëndimor ishte një hap kurajoz dhe i dhimbshëm për popullin izraelit. Ai thotë se tani që kolonët janë larguar, rruga për hapa të mëtejshëm është e hapur.

“Palestinezët duhet t’i tregojnë botës se do të luftojnë terrorizmin dhe qeverisin në mënyrë paqësore. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndihmojnë palestinezët në përgatitjet për vetëqeverisje dhe për të mundur terroristët që sulmojnë Izraelin dhe kundërshtojnë një shtet paqësor palestinez”.

Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti Bush e quajti tërheqjen zhvillim të rëndësishëm në Tokën e Shenjtë.

Në Irak, tha Presidenti Bush, irakianët po përballen me kompromise tepër të vështira mbi kushtetutën e tyre, ndërkohë që negociatorët po përpiqen me forcë të zgjidhin çështje të komplikuara, përfshirë rolin e qeverisë federale. Ligjvënës irakianë nuk kanë arritur të përmbushin disa afate në lidhje me përfundimin e një projket-kushtetute. Por Presidenti Bush thotë se negociatat paqësore në lidhje me të janë një hap para për Irakun.

“Ë rëndësishmja është se irakianët po trajtojnë tani këto çështje përmes debatit e diskutimit dhe jo përmes grykës së pushkës. Arritja e një kushtetute demokratike në Irak, ashtu si ajo në Afganistan vitin e kaluar, do të jetë ngjarje historike në aspekt më të gjerë rajonal në Lindjen e Mesme. Ajo do të na sjellë më afër ditën kur Iraku të vetëqeveriset, të mbajë dhe mbrojë veten”.

Zoti Bush thotë se me stërvitjen e forcave irakiane të sigurimit dhe aftësimin e qeverisë për t’u vetëqeverisur dhe mbrojtur vendin dhe rendin, trupat amerikane do të jenë në gjendje të kthen në shtëpi.

Një sondazh i Organizatës Gallup, i bërë publik javën që po kalon, tregon se mbështetja e përgjithshme për zotin Bush kanë rënë në 40 për qind - niveli më i ulët që nga ardhja e tij në post.

Ditët e fundit, zoti Bush është përpjekur të grumbullojë më shumë mbështetje përmes një fjalimi para trupave të Gardës Kombëtare dhe duke lavdëruar amerikanët që shërbejnë në Irak.

XS
SM
MD
LG